Lajme

Gërvalla nga Vatikani: Paqja dhe dashuria mbretërofshin në vendin tonë


Me ftesë nga Selia e Shenjtë, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka marrë pjesë në meshën e Krishtlindjes, që u mbajt të dielën mbrëma në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan dhe në kremten ku Papa Françesku dha mesazhin e tij vjetor të Krishtlindjes “Urbi et Orbi”, që u mbajt këtë të hënë në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

Nga Selia e Shenjtë në Vatikan, Ministrja Gërvalla ka uruar të gjithë besimtarët katolik, duke i dëshiruar paqe dhe dashuri.

“Për shumë mot Gëzuar Krishtlindjet nga Basilika e Shën Pjetrit në Vatikan, ku me ftesë të Selisë së Shenjtë morëm pjesë në meshën në vigjilje të Festës së Krishtlindjes. Paqja dhe dashuria mbretërofshin në vendin tonë dhe të gjitha vatrat tona”, tha ministrja Gërvalla, ka njoftuar zyra e saj për media.

Ajo po ashtu ka theksuar se ndihet e nderuar, e prekur dhe krenare që ta përfaqësoj Republikën e Kosovës në kremtimet e Krishtlindjes në Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Ndërsa në mesazhin e tij tradicional të Krishtlindjes në bekimin e mesditës “Urbi et Orbi” në Ditën e Krishtlindjes, Papa Françesku, bëri thirrje që Krishtlindja të sjellë paqe në gjithë botën dhe ta kthejë pikëllimin në gëzim dhe gjithashtu të ndalet dhuna dhe të ndihmohen të gjithë ata që vuajnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore