Lajme

Gërvalla: Kosova dhe Luksemburgu synojnë thellim të bashkëpunimit bilateral


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla dhe ministri për Bashkëpunim për Zhvillim dhe Çështje Humanitare, Franz Fayot

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, gjatë vizitës së saj zyrtare në Luksemburg, po zhvillon takime bilaterale me zyrtarë të lartë shtetërorë.

Të martën ajo u takua me ministrin për Bashkëpunim për Zhvillim dhe Çështje Humanitare, Franz Fayot.

Gërvalla veçoi posaçërisht bashkëpunimin mes Kosovës dhe Luksemburgut në sektorin e shëndetësisë, në arsim, si dhe në procesin e integrimit drejt Bashkimit Evropian.

“Një ndër prioritetet e qeverisë është përmirësimi i dukshëm i kushteve për investime të huaja me synimin për ta bërë Kosovën më atraktive për këto investime. Kosova mund të përfitojë shumë nga shkëmbimi me një partner në BE si Luksemburgu, i cili është ekonomikisht i fuqishëm dhe me përvojë të madhe ndërkombëtare”, ka thënë Gërvalla.

Ndërsa gjatë këtij takimi ajo shprehu mirënjohjen e shtetit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Luksemburgut dhe miqësinë e mirë mes të dyja vendeve.

Së bashku me ministrin Fayot kanë diskutuar për mundësi të bashkëpunimit mes të dyja vendeve në fusha që lidhen me sistemin financiar, digjitalizimin dhe çështje të tjera.

Dy ministrat u dakorduan që, së shpejti, të organizohet takimi i radhës së Komisionit të Partneritetit për të vlerësuar nevojat, format e bashkëpunimit dhe diversifikimin e mundshëm të partneritetit mes të dy vendeve.

Para shtatë ditëve, ministrja Gërvalla priti në takim ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Luigi di Maio, të cilin e njoftoi me zhvillimet politike në Kosovë, si dhe biseduan rreth bashkëpunimit bilateral mes dy vendeve.

“Ne jemi shumë mirënjohës për mbështetjen që Italia i ka ofruar Kosovës edhe sa i përket avancimit të agjendës evropiane. Liberalizimi i vizave mbetet një prej çështjeve që duhet përmbyllur sa më shpejtë dhe roli mbështetës i Italisë në këtë pikë është shumë domethënës”, ka theksuar ajo.

Ndërsa, Gërvalla të hënën mbajti takim me Sekretarin Gjeneral të Organizatës Euro-Atlantike, në të cilin kishte vendosur flamurin e OKB-së në vend të atij të NATO-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore