Kosova

Gërvalla kërkon “qasje të re” ndaj Serbisë: BE-ja duhet të vendosë masa ndëshkuese ndaj armiqve të paqes


Donika Gërvalla-Schwarz në ministerialin “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, kërkoi që Bashkimi Evropian (BE) të vendosë masa ndëshkuese ndaj Serbisë për terrorizmin e paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, gjatë një adresimi para kryediplomatëve evropianë dhe rajonalë në Romë të Italisë.

Krerët e diplomacisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën të hënën (5 shkurt) në kryeqytetin italian për të diskutuar mbi rrugëtimin e gjashtë vendeve ballkanike drejt integrimeve evropiane, ku një vëmendje e veçantë i është kushtuar forcimit të bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit dhe BE-së në dritën e “fërshëllimes” së zgjerimit të bllokut.

“Ne duhet të sigurohemi që ngjarjet e tmerrshme të 24 shtatorit të vitit 2023, kur Kosova u përballë me aktin e agresionit serb, të mos përsëriten. Për të parandaluar këtë, ne duhet të vendosim përgjegjësi shtetërore dhe masa ndëshkuese ndaj akteve të agresionit që provokojnë dhe nxisin konflikte”, deklaroi Gërvalla në në takimin “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”.

Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE pa vonesa të mëtejme dhe ndryshimi i qasjes së BE-së në raportet me armiqtë e demokracisë, paqes dhe stabilitetit në rajon ishin kërkesat që adresoi ministrja Gërvalla para homologëve nga shtetet anëtare të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, në bazë të njoftimit për shtyp të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, ishte nikoqir i takimit që u zhvillua në Romë, ndërsa në këtë takim morën pjesë ministrat e jashtëm të Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, në përpjekje për të nxitur dhe përshpejtur procesin e integrimeve evropiane.

Qeveria e Italisë prej kohësh synon të mbështesë stabilitetin dhe ekonominë rajonale, por edhe forcimin e dialogut për çështje të politikës së jashtme, deri në anëtarësimin e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në bllokun evropian. Ky synim optimist erdhi në formën e një dokumenti të nënshkruar nga Italia, Austria, Kroacia, Çekia, Greqia, Sllovakia dhe Sllovenia.

Ballkani Perëndimor është vlerësuar një ndër prioritetet kryesore të Italisë, posaçërisht në aspektin e sigurisë, stabilitetit dhe tregtisë. Në këtë drejtim, administrata italiane synon të luajë një rol vendimtar në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, duke ndjekur një politikë aktive ndaj një rajoni të rrethuar nga armiqësitë etnike dhe paqëndrueshmëria.

Gjashtë vendet e rajonit – Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – synojnë të anëtarësohen në BE dhe janë në faza të ndryshme të arritjes së këtij qëllimi, ndërsa plani i rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor përfshin investime prej 6 miliardë euro dhe akses në tregun e brendshëm të bllokut evropian në fusha të caktuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore