Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut për incidentin në Aeroportin e Shkupit ku ishte e përfshirë presidentja Vjosa Osmani, të enjten.
“Ministrja Gërvalla ka paraqitur një notë proteste pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për këtë incident”, thuhet në komunikatë për media.
Nga MPJD është thënë se kanë kërkuar nga Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Kosovë informacione zyrtare dhe detaje të rastit lidhur me rastin e Osmanit.
Përmes një komunikate për media nga MPJD është se ministrja Gërvalla ka takuar ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë mbrëmë menjëherë pas incidentit dhe po ashtu edhe të premten duke kërkuar sqarime në lidhje me rastin.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S. Dr. Vjosa Osmani, u ballafaqua me një trajtim të papërshtatshëm dhe të kundërligjshëm nga ana e pjesëtarëve të sigurimit të aeroportit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapa të menjëhershëm duke kërkuar informata zyrtare dhe detaje të rastit nga Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Kosovë”.
Gërvalla, po ashtu është thënë se u takua edhe zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, z. Arben Fetai.
“Me të cilin kanë diskutuar rreth incidentit në fjalë dhe nevojën e ndërmarrjes së veprimeve të shpejta institucionale”.
“Në kuadër të veprimeve të ndermarra, Ministrja Gërvalla ka pranuar sot pasdite edhe një telefonatë nga homologu i saj, Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, gjatë së cilës u shprehën shqetësimet e institucioneve të Kosovës pas incidentit të djeshëm”.
Ajo po ashtu ka kërkuar që autoritetet maqedonase të ndërmarrin masa të menjëhershme për të hetuar këtë rast dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.
Një notë proteste është një dokument zyrtar diplomatik që një shtet i dërgon një shteti tjetër për të shprehur pakënaqësi, shqetësim ose kundërshtim ndaj një veprimi, incidenti, apo sjelljeje që konsiderohet e papranueshme ose që cenon marrëdhëniet mes dy vendeve.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com