Lajme

Gazsjellësi lituanez, “pre” e një shpërthimi të madh


Një shpërthim i madh ka goditur një tubacion gazi në rajonin Pasvalys të Lituanisë.

Imazhet e transmetuara nga mediat vendase treguan flakët që kishin përfshirë objektin, por zyrtarët thonë se nuk ka pasur lëndime.

Ministri i Mbrojtjes i vendit, Artis Pabriks, shkroi në median sociale Twitter se shkaku i incidentit do të hetohej dhe tha se sabotimi nuk mund të përjashtohej.

Por, ndryshe nga ministri operatori i tubacionit theksoi se nuk besonte se shpërthimi ishte i dyshimtë.

“Sipas vlerësimit fillestar, ne nuk shohim ndonjë shkak malinj, por hetimi do të mbulojë të gjitha opsionet e mundshme”, tha shefi ekzekutiv i Amber Grid, Nemunas Biknius.

Biknius tha se tubacioni – i cili u ndërtua në vitin 1978 – i është nënshtruar disa punëve të mirëmbajtjes së fundit dhe se zyrtarët do të përpiqen të përcaktojnë nëse kjo ka kontribuar në shpërthim.

Ai shtoi se, furnizimi me gaz në tubacion ishte ndërprerë, zjarri ishte qetësuar pas katër orësh dhe se autoritetet e specialistët që hetonin incidentin nuk kishin informacion për ndonjë dëmtim të qëllimshëm të tubacionit.

Tubacioni përbëhet nga dy sisteme paralele dhe Amber Grid tha se shpërthimi ndodhi në njërin prej tyre. Tjetri ishte i padëmtuar.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore