Kosova

Gazetarja serbe: Vuçiç s’e thotë të vërtetën – Kosova është shtet i pavarur


Gazetarja serbe e “Danas” Snezana Csongradin, në një shkrim autorial e ka quajtur frikacak presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, derisa këtij të fundit ia ka rikujtuar se Kosova është shtet i pavarur.

“Presidenti serb është frikacak, sepse nuk e thotë të vërtetën dhe gënjen njerëzit. Shumë besojnë në atë që ai thotë. Është e trishtueshme. Kosova është shtet i pavarur”, ka shkruar ajo.

Csongradin e ka porositur presidentin serb që të ndalojë së helmuari fëmijët me politikën e urrejtjes ndaj shqiptarëve, derisa ka shtuar se shteti serb ka vrarë mijëra shqiptarë të Kosovës gjatë luftës së fundit.

“Le të kujtojmë pra çfarë ndodhi në Kosovë gjatë viteve të 90-ta. Ne rrënuam me tanke shtëpitë e tyre, i dëbuam gati një milion prej tyre. Gjithçka është e shkruar në dokumentet e OKB-së, anëtare e së cilës jemi”, shtoi ajo.

Sipas saj, Vuçiç është frikacaku më i madh në historinë e sundimtarëve serbë, meqë gazetarja serbe thekson se i la qytetarët serbë në Kosovë pa mbrojtje dhe viktima të politikës së tij, e cila është kontradiktore dhe që i shërben atij për të mbetur në pushtet.

“Kush është akoma i çmendur të mendoj se Kosova nuk është shtet i pavarur dhe se procesi i pavarësisë nuk ka përfunduar?”, ka pyetur ajo.

Tutje ajo ka potencuar se ekziston edhe një “sens romantik” i kësaj historie se Kosova nuk do të jetë “kurrë” e pavarur nga Serbia.

“Shumë prej tyre me të vërtetë besojnë se Kosova është faktikisht e pavarur, por për këtë edhe e mallkuar, me çfarë shprehin me vetëdije apo pa vetëdije urrejtjen e tyre ndaj njerëzve që janë shqiptarë dhe që nuk kanë lidhje me politikën zyrtare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore