Bota

Gazetari bjellorus, Protasevich del në intervistë për televizionin shtetëror


Gazetari bjellorus, Roman Protasevich, i cili u arrestua në Minsk, gjatë një fluturimi të devijuar muajin e kaluar, është shfaqur i përlotur në një intervistë në televizionin shtetëror.

Protasevich rrëfeu metodat e organizimit të protestave anti-qeveritare, si dhe shprehu vlerësimet e tij për presidentin e Bjellorusisë, Alexander Lukashenko.

Familja e tij thotë se intervista u zhvillua me detyrim.

Gazetari 26 vjeç, ishte redaktor i kanalit opozitar Nexta, në aplikacionin e mesazheve Telegram, deri në vitin 2020. Gjatë këtij viti e kanë klasifikuar në listën e “individëve të përfshirë në veprimtari terroriste”.

Protestat masive shpërthyen në të gjithë Bjellorusinë pasi presidenti Lukashenko, pretendoi fitoren në zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit, të përcaktuar si të manipuluara.

Protestat janë ndaluar dhe udhëheqësit e opozitës janë dërguar në burg ose në internim.

Çfarë tha ai?

Në intervistën e transmetuar të enjten në mbrëmje, Protasevich pranoi përpjekjen për të rrëzuar Aleksandër Lukashenko.

Ai tha se e kishte kritikuar shumë presidentin Lukashenko, por “filloi të kuptojë se presidenti po bënte gjënë e duhur dhe sigurisht që unë e respektoj atë”.

Në fund të intervistës, ai shpërtheu në lot dhe tha se shpresonte një ditë të martohej dhe të kishte fëmijë.

Babai i gazetarit i tha agjencisë së lajmeve AFP se ishte e dhimbshme për atë, të shihte këtë intervistë.

“Unë e njoh djalin tim shumë mirë dhe ai kurrë nuk do të thoshte gjëra të tilla. Ata e detyruan të thoshte atë që duhej”, tha ai.

Intervista e së enjtes ishte dalja e tretë publike e Protasevich, në televizionin shtetëror, që pas arrestimit të tij.

Në një tjetër intervistë, ai u shpreh se nuk rëndësi nga opozita që të zhvillonte protesta të mëtejshme në rrugë.

Si u arrestua?

Gazetari dhe e dashura e tij Sofia Sapega po fluturonin në Lituani, kur avioni i tyre u detyrua të ulej në Minsk për shkak të një kërcënimi të rremë bombe.

Ai po përballet me akuza të rënda. Akuza për shkaktimin e trazirave masive e ka dënimin deri në 15 vite burg.

Protasevich dhe Sapega u larguan me forcë nga policia. Më vonë ata dolën me një video të regjistruara ku dukeshin se po bënin deklarata të detyruara për krime kundër autoriteteve Bjelloruse.

Arrestimet e tyre bënë që Bashkimi Evropian (BE) të bie dakord muajin e kaluar mbi sanksionet ndaj Bjellorusisë duke përfshirë ndalimin e linjave ajrore të vendit. Sanksione janë vendosur gjithashtu, dhe ndaj zyrtarëve, të cilët ishin të lidhur me devijimin e fluturimit.

“Ne nuk do të tolerojmë që dikush mund të përpiqet të luajë një ruletë ruse me jetën e civilëve të pafajshëm,” tha shefi i Këshillit të BE Charles Michel.

Ursula von der Leyen, kreu i Komisionit Evropian, e përshkroi incidentin si “një sulm ndaj demokracisë”.

 

Marrë dhe përshtatur nga BBC, për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore