Sport

Gazetari amerikan pyet futbollistin serb për flamurin fashist, ndërhyn zëdhënësi i federatës


Gazetari i agjencisë “Associated Press” ka pyetur mesfushorin serb Marko Grujiç për flamurin fashist me ngjyra nacionale të Serbisë dhe me hartën e Kosovës brenda, i cili ishte vendosur në dhomën e zhveshjes së kombëtares së Serbisë në Katar.

Por, mesfushori i Porto-s nuk u lejua të përgjigjej pas ndërhyrjes së zëdhënësit të Federatës serbe të Futbollit, Milan Vukoviç.

“Asnjë përgjigje pyetjes për flamurin ‘Kosova është Serbi’ në dhomën e zhveshjes”, deklaroi zyrtari serb duke shtuar se do të diskutohet vetëm për duelin e radhës me Kamerunin.

Të shtunën e 26 nëntorit, FIFA iu përgjigj kërkësës për koment nga Albanian Post, ku informon se procedura disiplinore për Kombëtaren e Serbisë ka filluar.

“Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka hapur procedurat kundër Federatës së Futbollit të Serbisë për shkak të një flamuri të shfaqur në dhomën e tyre të zhveshjes me rastin e ndeshjes Brazil – Serbi në Kupën e Botës të luajtur më 24 nëntor. Procedurat u hapën në bazë të nenit 11 të Kodit Disiplinor të FIFA-s dhe nenit 4 të Rregullores për Kupën e Botës FIFA 2022”, thuhet në përgjigjen e FIFA-s.

Çfarë ndodhi?

Brenda zhveshtores së ekipit futbollistik serb në Katar u fotografua një flamur me ngjyra të Serbisë dhe me hartën e Kosovës.

Flamuri fashist përveçse në kabinën e futbollistëve serbë u dëshmua edhe në duart e tifozëve të pranishëm.

Një nga fotografitë është bërë para stadiumit “Lusail” ku Serbia luajti kundër Brazilit.

Flamuri-baner përmban simbole rreth të cilave organizohet gjuha fashiste dhe ksenofobike e serbëve ndaj shqiptarëve.

Një retorikë e tillë ishte e theksuar ndjeshëm në vitet ’90-të para dhe gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.

Kosova është pranuar në FIFA dhe shtëpia e futbollit në të kaluarën është treguar shumë e ashpër me simbole dhe mesazhe të tilla.

Kujtojmë që, Serbia e humbi ndeshjen ndaj Brazilit me dy golat e shënuar nga sulmuesi i ekipit anglez të Tottenham Hotspur, Richarlison.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore