Lajme

Gazetarët e Danas-it dhe Nova-s komentojnë për Albanian Post “zbutjen” e Vuçiç-it në raport me propozimin franko-gjerman


Francesco Talo, Emmanuel Bonne, Miroslav Lajçak, Aleksandër Vuçiç, Gabriel Escobar dhe Jens Plotner

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për media, tha se Serbia e ka të vështirë ta refuzojë propozimin franko gjerman, sepse top-diplomatët evropiano-amerikanë që i shkuan në zyrë të premten ia bënë të ditura sanksionet e shumta me të cilat do të ballafaqohej.

Gazetarët e mediumeve opozitare serbe Danas dhe Nova, thonë për Albanian Post se Vuçiç – siç duket – e ka pranuar propozimin franko-gjerman nën presionin e “pesëshes së madhe” dhe tani është në siklet si t’ua thotë serbëve se “Kosova nuk është më Serbi”, sepse kështu i ka joshur që kur erdhi në pushtet.

Vuk Jeremiç, gazetar i politikës në gazetën Danas, thotë për AP se ndonëse Vuçiç është treguar më i hapur për kompromis, në këtë moment nuk është e qartë nëse ai do të pranojë apo jo propozimin evropiano-amerikan sepse Vuçiç-it kurrë nuk i dihet.

“Ai ndoshta do të përpiqet të blejë sa më shumë kohë, duke vonuar vendimin përfundimtar. Ai ka shumë të ngjarë të marrë një vendim bazuar në efektin që ai vendim do të ketë në popullaritetin e tij”, tha Jeremiç.

Sipas tij, pyetja thelbësore konsiston në atë se cila do të jetë zgjidhja e Vuçiç-it për minimizimin e dëmeve – “humbja e mbështetjes së Perëndimit, e cila do të ndikonte negativisht në ekonominë e Serbisë, apo humbja e mbështetjes së publikut që është fuqishëm kundër pavarësisë së Kosovës”.

“Në këtë kontekst, nuk do të thosha se Vuçiç ndryshoi mendje në lidhje me propozimin. Sepse ai vazhdimisht ndryshon mendjen sa herë ndryshojnë rrethanat. Ky pragmatizëm, ose mungesa e bindjeve të forta politike, e bën të pamundur parashikimin e hapit të tij të ardhshëm”, theksoi ai.

Ndërkaq, Vojislav Milovançeviç, redaktor i politikës në gazetën Nova, mbështetur edhe në burimet e tij, e thotë me bindje të plotë për AP se presidenti serb vërtetë e ka pranuar propozimin franko-gjerman, ndërsa tregoi edhe planin që Vuçiç ua kishte ofruar emisarëve perëndimorë si kusht për pranimin e marrëveshjes, por se përfaqësuesit e “pesëshes së madhe” nuk e kanë pranuar.

“Vuçiç propozoi që të vazhdohet gradualisht, në faza, hap pas hapi. Prioriteti i tij ishte fillimisht formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e pastaj gradualisht negociatat e mëtejshme. Pesëshja i treguan qartë se nuk ka vend për negociata graduale dhe me faza, por se sa më parë duhet të diskutohet për pranimin dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes”, tha Milovançeviç.

Sipas tij, pranimi i marrëveshjes do të jetë problem edhe për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, “i cili po ashtu pajtohet me shtyrjen e marrëveshjes përfundimtare, duke qenë se qëndrimi i Perëndimit është se fillimisht duhet të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe”.

Nga ana tjetër, thotë gazetari serb, problemi më i madh për Vuçiç-in është që t’ia shpjegojë popullit, para së gjithash votuesve të tij në Serbi, se ky propozim po pranohet, duke qenë se ai veprimtarinë e tij politike në masë të madhe e ka bazuar në historinë se “Kosova është një pjesë e patjetërsueshme e Serbisë” dhe se ai është garant që Beogradi nuk do ta njohë kurrë.

“Gjithsesi, atij iu desh të përgatiste opinionin publik në Serbi për një marrëveshje me Kosovën dhe duhej të krijonte një imazh në publik se ai është një burrë që është ‘mbështetur me shpatulla për muri’ dhe se nuk ka zgjidhje”, shtoi Milovançeviç.

Natyrisht, një pjesë e politikës së tij është që të fajësojë të tjerët për dështimin e politikës rreth Kosovës, vëren Milovançeviç, dhe këtë ai e bën me shumë sukses përmes mediave në frekuencat kombëtare, të cilat janë të kapura nga regjimi që ai komandon.

Një arsye tjetër në “zbutjen” e qëndrimeve të Vuçiç-it në raport me Kosovën dhe propozimin franko-gjerman, sipas gazetarit serb, janë rezultat i ngjyrimeve të reja në arkitekturën gjeopolitike për shkak të agresionit rus mbi Ukrainën.

“Çështja e Kosovës nuk është më një problem lokal-ballkanik, por një problem global, duke qenë se (Vladimir) Putini përdor argumentin e Kosovës kur flet për aneksimin e Krimesë dhe kur flet për Donetskun e Luhanskun. Perëndimi, supozoj, dëshiron ta rrëzojë atë argument nga duart e Putinit dhe të dobësojë pozicionin e tij”.

“Vuçiç po ashtu është i vetëdijshëm se shtetet perëndimore janë investitorët më të mëdhenj në Serbi dhe se ekonomia e vendit tonë është kryesisht e varur nga ato vende, kështu që ai nuk është në gjendje të përmbushë kërkesat e tyre”, përfundoi Milovançeviç.

Vendimin e tij për negociatat në të ardhmen dhe veçanërisht qëndrimin e Serbisë në raport me propozimin e hartuar fillimisht nga Franca dhe Gjermania, Vuçiç do ta bëjë të ditur në seancën parlamentare të radhës, e cila është lajmëruar se do të jetë maratonike.

“Seanca për Kosovën”, siç e kanë cilësuar në Serbi, pritet të zgjatë 3 ditë dhe me gjasë do të caktohet në fillim të shkurtit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore