Lajme

Gastronomëve u bëhet thirrje të mos lejohen në lokale klientët e pa vaksinuar ndaj COVID-19


Ilustrim

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, u ka bërë thirrje të gjithë gastronomëve që të respektojnë në mënyrë strikte masat anti-COVID.

Kjo shoqatë ka theksuar ndalimin e personave të pa vaksinuar në hyrje të lokaleve, duke kërkuar kështu që të respektohet masat aktuale kundër Coronavirusi.

“Pas protestës që mbajtëm dhe pas një sërë takimesh me akterë relevent në çështjen e menaxhimit të pandemisë COVID-19, si përgjegjësi e secilit nga ne dhe e jona ndaj sektorit të gastronomisë, edhe njëherë kërkojmë nga të gjithë gastronomët respektimin strikt dhe permanent të masave kundër COVID-19”, thuhet në njoftim.

“Të ndalohet rreptësisht hyrja e klientëve të pa vaksinuar, në lokale. Të sigurohet respektimi i udhëzuesve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të respektohet orari i lejuar i punës”, vijon njoftimi.

Kjo për shkak, sipas tyre, kërkohet me qëllim “që të mundësohet lehtësimi i masave dhe dalja më e lehtë nga kriza ekonomike”.

“Kërkojmë respektimin e tyre, si parakusht të vetëm që lidhet me funksionimin e nevojshëm të gastronomisë”.

Ndërkohë, masat e reja për të parandaluar përhapjen e virusit COVID-19, të marra nga Qeveria e Kosovës, kanë hyrë në fuqi që nga e hëna e gjashtë dhjetorit.

Qytetarët duhet të prezantojnë dëshminë për vaksinim për të përdorur transportin publik dhe atë privat.

Trafiku Urban në Prishtinë

Njëjtë do të veprohet edhe me personat që duan të hyjnë në qendra tregtare dhe gastronomi.

Me propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria e Kosovës, ka miratuar masat e reja për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Në bazë të vendimit të Qeverisë, mbetet në fuqi kufizimi i lëvizjes nga ora 00:00 deri në orën 05:00 dhe kufizimi i orarit të punës së gastronomisë nga ora 05:00 deri në orën 23:00.

Mysafirët në restorante dhe lokale duhet të posedojnë dëshminë për vaksinën anti-COVID.

Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative dhe ndalohet hyrja në ambientet e mbyllura pa maskë.

Pavarësisht numrit të personave, do të vazhdojë ndalimi i veprimtarisë së klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore