Lajme

Gastronomët kërkojnë lirimin e masave anti-COVID, paralajmërojnë protestë


Ilustrim

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë lirimin e masave anti-COVID, dhe në rast se nuk merret parasysh kërkesa, kanë paralajmëruar protestë. Kjo, pasi që sipas tyre, gjendja e këtij sektori “është shqetësuese”.

“Kërkesa jonë dhe presioni i vazhdueshëm që jemi duke e bërë që më shumë se një muaj është lirimi i masave që janë në fuqi. Aktualisht, gjendja e sektorit tonë është shqetësuese dhe rrjedhimisht edhe durimi i gastronomëve është shterur për të operuar njëjtë”, thuhet në njoftim.

“Masat pritet që do të lirohen gradualisht, mirëpo në rast se nuk do të ketë ndonjë ndryshim deri këtë të premte më dt. 22/10/2021 në mbledhjen e Qeverisë, atëherë të shtunën me dt. 23/10/2021 do të mblidhet Këshilli Drejtues i SHGK-së për të vendosur rreth shqyrtimit të protestës dhe pa dëgjueshmërisë së gastronomisë”, vijon njoftimi.

Ndryshe, ata janë zotuar se do të marrin përgjegjësi për respektimin e këtyre masave, “me ç’ rast edhe po e shohim që është evidente edhe nga gjendja e rehabilituar epidemiologjike që është tani”.

Ndërkaq, më 24 shtator të këtij viti, ish- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media, pati thënë se nga e hëna e 27 shtatorit do të hyjnë në fuqi masat e reja anti-COVID, kur edhe do të fillojë procesi mësimor.

Ish-ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia

Në këtë deklaratë, Vitia theksonte se gastronomisë i lejohet puna, por, vetëm 50 për qind e shfrytëzimit të hapësirave të brendshme, teksa shtoi se të gjithë klientët dhe stafi i lokaleve duhet të jenë të vaksinuar kundër COVID-19.

“Gastronomia nga data 27 shtator lejohet të shfrytëzojë hapësirat e mbyllura deri në 50 për qind e kapaciteteve të hapësirës, kurse në hapësirat e hapura deri në 70 për qind të kapaciteteve”, ishte shprehur ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore