Gara në 6 bashki – Bastionet e kujt partie vendosin më 6 mars?

SHFLETO
Vitjon Nina
20.01.2022 21:36
Loading Icons...

Me dekretimin e 6 marsit nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, si ditë e përshtatshme për të mbajtur zgjedhjet e pjesshme vendore në Shqipëri, gjashtë bashki në gjithë vendin, do të jenë në garë, qytetarët e të cilave do t’u drejtohen kutive të votimit për të vendosur.

Shkodra, Dibra, Durrësi, Lushnja, Vora dhe Rrogozhina janë të gjashta pa kryetar, ndaj edhe zëvendësimi për ta – pavarësisht se i vonuar në disa raste – duhet kryer.

Por, si ndahen këto bashki në votimet e shkuara dhe bastionet e kujt do të vihen në sprovë këtë pranverë 2022?

Shkodra ka qenë një bastion historik i të djathtëve, ku e vetmja herë e një triumfi të majtë ka qenë viti 2019, me fitoren e Valdrin Pjetrit. Gjithsesi, kjo erdhi vetë pasi opozita, në vitin 2019, i bojkotoi zgjedhjet në nivel lokal.

Si një bashki me mbi 160 mijë votues, Shkodra vijon të mbetet “kryeqyteti” i veriut dhe gara aty do të jetë interesante.

Bashkia Dibër, nga ana tjetër, sheh 56 mijë zgjedhës me të drejtë vote.

Qëndrueshmëria politike e zonës ka qenë me luhatje.

Më herët, kanë qenë demokratët në hegjemoni. Më pas, Partia Socialiste, në vitin 2015, fitoi bashkinë veriore. Ajo e ka mbajtur deri tani. Por, në parlamentaret e fundit, PD-ja e rifitoi epërsinë në Dibër, duke sugjestionuar se mund të rikthehet sërish në qeverisjen vendore dibrane.

Durrësi është një ndër bashkitë më të rëndësishme të vendit. Aty kanë drejtuar për mbi 15 vjet socialistët, ku katër mandate i atribuohen një emri të vetëm – Vangjush Dakos.

Hegjemonia socialiste është parë edhe në zgjedhjet parlamentare, kur kanë marrë shumicën garat e fundit.

Rreth 260 mijë qytetarë kanë të drejtë vote në Durrës.

Vora është një tjetër bashki në garën e 6 marsit.

Me 30 mijë votues, ajo ka qenë zakonisht bastion i të djathtës. Gjithsesi, vitin e fundit, socialistët dolën fitues. Por, gara mbetet e ngushtë.

Në Rrogozhinë mund të votojnë 32 mijë zgjedhës. Një bashki, ku paqëndrueshmëria politike ka qenë e dukshme, pasi të gjitha palët kanë qeverisur aty përgjatë viteve.

Jo e njëjta gjë mund të thuhet për Lushnjën, ku 104 mijë zgjedhës kanë të drejtë vote. Socialistët kanë pasur epërsinë në shumicën e rasteve në Lushnjë, por duhet parë se si do të ndikojë figura e larguar e Fatos Tushes, pasi u akuzua për korrupsion dhe u dënua.

Këto të 6 marsit do të jenë edhe një shije e parë e një politike të fragmentarizuar shqiptare, ku tashmë Partia Demokratike po has probleme me fraksionet e brendshme, ndërsa socialistët  vijojnë të kërkojnë të mbajnë mbi supe gjithë peshën e pushteteve në vend.