Lajme

Gafa diplomatike e Kurtit në Mynih, bën rreshtim me Armeninë në konfliktin e këtij shteti me Azerbajxhanin


Foto nga takimi

Armenia dhe Azerbajxhani janë dy shtete që nuk e kanë njohur Kosovën dhe dy shtete aleate të Rusisë (në forma dhe për arsye të ndryshme).

Në të njëjtën kohë, këto dy shtete prej dekadash kanë konflikte me njëra tjetrën për çështjen e Rajonit të Nagorno-Karabakh, që ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit.

Albin Kurti, krejt pakuptueshëm, ka marrë anë në këtë situatë në raport me zhvillimet e fundit atje kur Azerbajxhani dëboi armenët nga ky territor.

Kurti, në mungesë të takimeve të tjera në Konferencën e Sigurisë në Mynih, e ka siguruar një me kryeministrin armen, Nikol Pashinyan.

Vetë takimi nuk do të përbënte problem, nëse Kurti nuk do t’i thoshte kryeministrit se Kosova qëndron “me popullin armen”.

njoftimin për media të qeverisë armene thuhet, pos tjerash, se “palët shkëmbyen ide për situatën aktuale dhe proceset që po vazhdojnë në Kaukazin Jugor dhe në Ballkan sa i përket sigurisë dhe stabilitetit” dhe se “Kryeministri i Kosovës ka shprehur mbështetjen e tij për popullin armen në kontekst të zhvillimeve të fundit, duke theksuar se të dy kombet historikisht kanë kaluar nëpër periudha të vështira”.

Pos pozicionit të panevojshëm në një situatë krejtësisht të komplikuar historikisht dhe politikisht, pozicionimi me popullin armen duke i bërë referencë me situatën e shqiptarëve në Kosovë, përveç se i pavërtetë historikisht është krejtësisht i panevojshëm politikisht.

Në arenën ndërkombëtare Armenia nuk është shtet që e ka përkrahur Kosovën diçka më shumë se sa Azerbajxhani, derisa historikisht ka qenë aleat i Rusisë dhe vazhdon të jetë – kjo edhe për arsye se ka varësi të madhe ekonomike nga Rusia.

Në anën tjetër Azerbajxhani përbën një aktor shumë më të rëndësishëm se Armenia ndërkombëtarisht dhe ka raport me disa nga aleatët më të mëdhenj të Kosovës, siç është Turqia.

Gjithashtu, edhe Shqipëria ka raporte shumë të mira me Azerbajxhanin, përfshirë shkëmbimin tregtar.

Se pozicionimi në këtë situatë është krejt i panevojshëm kuptohet edhe nga vetë Qeveria e Kosovës, meqë kur kanë njoftuar për takimin në mes të Kurtit dhe Pashinyan, nuk përmendet fare pjesa e përkrahjes për “popullin armen”.

Qeveria e Kosovës vetëm tregon se “interesim dhe gatishmëri të dyanshme kishte edhe për bashkëpunim në fushën e kulturës, filmit, turizmit dhe edukimit” dhe kaq.

Përndryshe, as Shtetet e Bashkuar të Amerikës e as Bashkimi Evropian nuk janë rreshtuar me njërën apo palën tjetër, derisa marrëdhënie ekonomike si SHBA-të si Bashkimi Evropian kanë më shumë me Azerbajxhanin sesa me Armeninë.

Derisa për Armeninë partneri me shkëmbimin më të madh tregtar është Rusia, për Azerbajxhanin është Bashkimi Evropian.

Kurse për konfliktin mes tyre, SHBA ka qëndrim të njëjtë për të dyja palët, se ato duhet të punojnë për të arritur zgjidhje të qëndrueshme politike përmes Grupit të Minsk-ut të OSBE-së dhe ajo të jetë paqësore dhe me prosperitet për rajonin.

Madje sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, është takuar me presidentin azer, Ilham Aliyev, rishtazi, në ditën e pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt, ku ka folur për raportet e mira mes dy shteteve dhe sërish ka kërkuar zgjidhje paqësore të konfliktit mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore