Lajme

Gabimi në llogaritjen e 31 trenave të rinj për rrjetin lokal të Cantabria dhe Asturias


Planifikuesit u shpëtuan, por jo presidenti i kompanisë hekurudhore spanjolle dhe as nënsekretari për Transportin dhe Lëvizshmërinë.

Një shpërqendrim jo i papërfillshëm u kushtoi atyre shumë.

Për shkak të një llogaritjeje të gabuar, 31 trenat që duhet të kishin filluar shërbimin vitin e ardhshëm në rrjetin lokal të distancave të shkurtra dhe të mesme të Cantabria dhe Asturias, kanë rezultuar të jenë shumë të mëdhenj për të hyrë në tunelet e ngushta të atyre maleve.

Për fat të mirë , dikush kontrolloi me kohë dimensionet e trenave të projektuar për Renfe dhe i krahasoi me ato të tuneleve të shekullit të XIX-të në dy rajonet veriore për të cilat ishin projektuar.

Por gabimi do të çojë në një vonesë prej të paktën dy vjetësh në dorëzimin e tyre. Dhe ka shkaktuar një zhurmë që përfshin qeverinë dhe opozitën.

Marrëveshja u lidh në qershor 2020 me kompaninë e ndërtimit, spanjollja Caf-in, e cila kishte mposhtur konkurrencën e francezes Alstom dhe gjermanes Siemens, duke siguruar një porosi me vlerë 258 milionë euro.

Një formalitet i vogël mbeti për t’u përfunduar para fillimit të punimeve: një vlerësim i matjeve të tuneleve të treguara në shpalljen e tenderit.

Gati një vit më vonë, në mars 2021, Caf kuptoi se të dhënat e ofruara nuk përkonin me ato reale: trenat ultra-modernë dhe të efektshëm të porositur nga Renfe nuk do të kishin kaluar kurrë nëpër tunelet e vjetra të rajoneve të Santander dhe Oviedo.

Kështu, kompania tërhoqi frenën e emergjencës dhe paralajmëroi autoritetet, edhe para fillimit të linjave të montimit për ndërtimin e trenave.

Sakaq, nuk dihet se çfarë ka ndodhur në zyrat kompetente në muajt në vijim.

Lajmi për mbikëqyrjen e bujshme doli vetëm këtë vit, në fund të janarit dhe pranimet e para erdhën në fillim të shkurtit, pasuar nga përpjekjet për të siguruar siguri nga kompania spanjolle hekurudhore për “AFP”-në, agjencia franceze e lajmeve:

“Nuk ka pasur kurrë rrezik që trenat e madhësive të gabuara të hyjnë vërtet në prodhim, sepse prodhuesi ishte i detyruar kontraktualisht të procedonte fillimisht me kontrollet përkatëse”.

Ndaj 258 milionët e akorduara nuk do të kishin humbur, por nuk thuhet se do të mjaftojnë për të përfunduar operacionin, duke pasur parasysh rritjen marramendëse të kostove të lëndëve të para në vitet e fundit.

Shtyrja e dorëzimit të trenave për në vitin 2026 ka ‘tërbuar’ administratorët e dy rajoneve, të cilët duan të dëmshpërblehen.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore