Sport

Futbolli humbi legjendën, bota humbi Pele-në


Një poet, dikur pëshpëriste se Pele dukej sikur e merrte fushën zvarrë për nga vetja drejt portës kundërshtare, si një zgjatim i lëkurës së tij.

Një filozof pranoi, me shaka, mundësinë se kishte parë shkarazi rrezet e “absolutes” në figurën e tij.

Një pjesë shumë e madhe në botë, as që e kanë parë Pele-në të luajë në fushën e blertë, në një kohë kur filmimet ishin të kufizuara për nga aspekti teknologjik, fotografitë të zymta shpesh herë dhe futbolli, një lojë me top që po popullarizohej.

E prapë, edhe pse nuk e kanë parë, të gjithë e dinë se ai është një legjendë, ndoshta më i madhi i historisë në futboll dhe për këtë, ndoshta u detyrohen Edson Arantes do Nascimentos.

Jashtë spitalit “Albert Einstein” në Sao Paolo të Brazilit, u mblodhën mijëra njerëz pasditen e 29 dhjetorit.

Mbreti (o rey), kishte mbyllur sytë përgjithnjë në moshën 82-vjeçare dhe vajtimi për figurën e tij erdhi nga çdo cep i mundshëm i botës.

Lojtarët pa diskutim ishin të parët që e kujtuan, për lojën e tij të bukur, për ndryshimin e pakthyeshëm që solli për sportin e luajtur me këmbë, për të qenit një figurë referimi e të gjithëve, e vështirë (në mos e pamundur) të kapërcehej, përherë i buzëqeshur, përbashkues, së fundmi babaxhan.

Një ikonë!

Në fillim të viteve të tija të pleqërisë – për hir të së vërtetës ndër pleqëritë më aktive të para ndonjëherë në botë – Pele, gjatë një interviste, filloi të kujtonte raportin që kishte pasur me të atin.

Ai quhej João Ramos do Nascimento dhe kishte qenë futbollist. Nofkën asokohe ia patën ngjitur Dondinho.

Dondinho gjithmonë ia kishte thënë Pele-së, kur ky i fundit pati qenë i vogël, se ndër dhimbjet më të mëdha në jetë, e kishte faktin se kurrë se kishte fituar një kupë bote me Brazilin.

Pele, adoleshent atëherë, ia tha qartë se do ta bënte ai për të, do të bëhej futbollist shumë i mirë dhe do të ngrinte kupën. Një ëndërr e një 12-vjeçari me pasion të jashtëzakonshëm për lojën me top.

Pak vite më vonë, në moshën 17-vjeçare, Pele do të shkonte me ekipin kombëtar brazilian në Suedi, në vitin e largët 1958.

Ai ishte 17 vjeç atë mot, por luante që prej minutës së parë në fushë.

Dy gola, i shënoi vetë, me rezultatin përfundimtar 5 me 2 në favor të Brazilit kundrejt Suedisë pritëse, duke i dhënë atyre titullin e parë kampion bote.

Një yll i ri kishte lindur dhe mbi supet e tija ishte vënë pesha e gjithë botës.

Por, ai atëherë nuk e kuptonte këtë gjë dhe në modestinë e një personi që donte lojën e bukur, nuk e përfilli famën, as ikonizimin ndër vite. I interesonte vetëm që bota të ishte e bashkuar. M

Një “padrejtësi” në fakt ia bëri botës Pele, sepse fitoi shumë!

Ai e mori edhe një kupë bote tjetër me Brazilin, në vitin 1962, e dyta radhazi. Të tretën – si askush më parë në histori e as sot – e mori në vitin 1970.

Një arritje e jashtëzakonshme, e papërsëritur sot e kësaj dite, e cila i dha edhe emërtimin e mbretit të sportit.

Sytë e Pele shndërrinin kur shihte kupën Jules Rimer, të cilën falë tij Brazili e mori përgjithmonë në shtëpi.

Zemrën gjithsesi, përveçse në fushë, e kishte aty, tek bashkimi i njerëzve.

Nuk është e lehtë të jesh një legjendë në Brazil e mbi të gjitha të jesh i tillë, në një vend i cili veten, e identifikon me futbollin.

Ai ia doli, u bë pikë referimi.

Për çdo brazilian, Pele do të thoshte diçka.

Për gjeneratat e shkuara, ai ishte lojtari model. Për më të rinjtë, ishin historitë që prindërit apo gjyshërit i tregonin, mbi një fenomen me aftësi të pareplikueshme, i cili bashkoi njerëzit, përmes futbollit.

Për të tjerë akoma, të cilët ndoshta edhe nuk e kanë shumë në zemër futbollin, Pele ishte diplomati i përsosur. Njeriu i papërlyer ndonjëherë me të keqen në jetë.

Një dhënës për ata që kishin më pak, mbrojtës për ata që mundeshin më pak, frymëzues për ata që veten e donin më pak.

Fama në çdo cep të globit u arrit pa dëshirën e tij, por me meritën e njeriut të përulur, fjalëpak e me shumë vepra, i cili njësoj siç puthte Muhamed Ali-un e madh të boksit për ta uruar mbi fitoret e tija, përqafonte fëmijët e favelave të Brazilit, për t’i thënë se gjithçka mund të arrihet dhe se ata nuk duhet të dorëzohen.

Të gjithë ata, të cilët e panë Pele-në të luante, pa dyshim se e patën kuptuar se Zotit i duhej të jepte një shpjegim për çfarë kishte krijuar.

Edson Arantes do Nascimentos, figura më e përfolur, shndërritëse e perfeksionit, e cila ka prekur ndonjëherë fushën e blertë, u përflak në famë në një moshë shumë të njomë, i paditur ende në fillim, mbi jashtzakonshmërinë e tij.

Sot, futbolli e vajton humbjen e legjendës më të madhe të sportit më popullor në botë.

Bota nga ana tjetër, humbi vetë atë, Pele-në.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore