Fushata përmbyllëse e LSI-së, Kryemadhi: Shqiptarët s’duhet të jenë azilkërkues

SHFLETO
Orges Permargjeta
22.04.2021 19:31
Loading Icons...

Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), ka mbyllur fushatën e saj elektorale të enjten, me anë të një mitingu në Sheshin “Nënë Tereza”.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi,  tha se shqiptarët duhet të zgjedhin nëse duan të jetojnë në Shqipëri apo të kthehen të gjithë në azilkërkues në Evropë.

“Motra dhe vëllezër, Shqipëria jonë sot është në rrezik. Ne kemi një mision që Shqipëria te ndjehet përsëri si shtëpia e shqiptarëve. Të dielën duhet të zgjedhin që të rinjtë të rrinë këtu apo të kthehen në azilkërkues. Pasuritë e Shqipërisë duhet t’i gëzojnë të gjithë shqiptarët dhe jo një grusht oligarkësh”.

Ajo tha se duhet të “kemi një qeveri që kujdeset për njerëzit apo një qeveri që kthehet në makth për njerëzit. Të kemi një qeveri që shpenzon paratë e shqiptarëve me garë dhe meritokraci apo një qeveri që i shpenzon për klientët e saj. Të kemi një shtet me institucione apo të kemi një parti-shtet”.

Këto dy ditë, tha Kryemadhi, do të shërbejnë që të bindim njerëzit se LSI-ja është partia e ndryshimit dhe të votojnë numrin 6.

“Unë ju bej thirrje nga ju shesh i bekuar qe te mos ndaloni asnjë moment këto dy dite që t’i çoni te gjithë ne kutitë e votimit dhe te gjithë te votoni numrin 6, LSI-në. Këto dy ditë, ne duhet të mësojmë shqiptarët si të votojnë. T’i mësojmë mos ta bëjnë votën të pavlefshme dhe mos të bëhen pre e mashtrimeve të Ramës apo patronazhistave të Erion Velisë”.

Më tej, kryetarja e LSI-së tha se lista e partisë së saj është listë fituese, kundër tradhtarëve të shqiptarëve.

“Lista e LSI-së është lista fituese. Kjo liste është fitorja e te rinjve dhe te rejave, është lista ku fiton e gjithë Shqipëria. Përballe kësaj liste ndodhen rilindasit që tradhtuan shqiptarët”.

Monika Kryemadhi tha se të rinjve dhe të rejave do tu japim arsim dhe shërbim mjekësor cilësor.

“Ne kemi vendosur gjithë zemrën tonë për ta bërë Shqipërinë siç kanë dashur ata që luftuan për liri dhe demokraci”.

Kryemadhi u shpreh se janë rilindasit, ata të cilët terrorizojnë administratën publike, për t’i nxjerrë në shesh brenda 4 orëve, vetëm e vetëm nga frika e këtij takimi të mrekullueshëm sot në sheshin Nënën Tereza.

“Ne do t’u japim shqiptarëve një arsim cilësor, ku fëmijët e familjeve shqiptare të kenë mundësi të shkollohen me mësues me dinjitet dhe jo me militantë politikë, të shkollohen në shkolla cilësore dhe me një arsim cilësor, në mënyrë të tillë që studentët tanë të konkurrojnë në tregun e punës me dinjitet dhe me diploma cilësore”, tregoi Kryemadhi.

“25 prilli do të jetë referendumi mbarë popullor i ndryshimit dhe i shpresës, sepse është e vetmja zgjidhje, për t’i dhënë zgjidhje njëherë e përgjithmonë trancizionit. Prandaj vota juaj ka rëndësi në 25 prill për të shkuar për numrin 6, për LSI-në, për të rinjtë dhe të rejat”, vazhdoi Kryemadhi.

Kryetarja e LSI gjatë fjalimit të saj i’u drejtua në veçanti grave dhe vajzave shqiptare, duke bërë thirrje për rëndësinë e të qenurit të bashkuara duke “votuar” dhe suportuar njëra-tjetrën.

“Si një vajzë e re besoja, tek social demokracia, por dhe sot që jam nënë e tre fëmijëve. Besoj te solidariteti, besoj te forca që kemi dhe i japim njeri-tjetrit. Besoj te vlerat e familjes, besoj në Zot sepse besimi në Zot më ka dhënë forcën dhe kurajën për tu përballur për të mos u tërhequr asnjëherë nga një sfidë. Po ju drejtohem sot si nënë, bashkëshorte, si vajzë dhe si motër. Do ju lutesha të ndihmonim njëra tjetrën, të votoni njëra tjetrën”, tha Kryemadhi.

“Do doja të ftoja gjithë kandidatët për t’i treguar gjithë shqiptarëve ekipin e mrekullueshëm, ekipin fitues, ekipin e jashtëzakonshëm të LSI”, përfundoi ajo.