Muzikë

Fundjava në Coachella është fundi i pandemisë shpirtërore


Dy vjet pa këmbë personi në shkretëtirën e shkretuar artistike, e patën lënë boshe luginën e Coachella-s.

Por, shërimi – të paktën ai shpirtëror – është muzika.

Qindra mijëra të rinj, të reja, deri edhe te persona në moshë thuajse të thyer, u nisën drejt “Empire Polo Club” në Indio të California-s.

Në tri ditë radhazi, pa pushim, tri skena u mbushën me artistë nga më të larmishmit.

Tërheqja e Kanye West u duk se do të godiste ngjarjen e madhe muzikore, por nuk ndodhi ashtu.

Në transmetim të pandërprerë, e gjithë bota e dëshmoi se pandemia është mposhtur.

Të paktën, ajo shpirtërore po!

Ndër qindra artistë, tre (plus tre) kulmuan netët muzikore në Coachella.

Harry Styles e mbylli me plot stil natën e parë, të premten e 15 prillit.

Në të dytën, Billie Eilish i ngriti të gjithë në këmbë, gjatë të shtunës.

E treta, dëshmoi se bota e ka lënë pas dhimbjen shpirtërore artistike.

Në mbyllje të gjithë fundjavës së parë, ishin trio-ja suedeze, Swedish House Mafia, së bashku me yllin e muzikës pop, The Weeknd, ata të cilët i dhanë goditjen e madhe ngjarjes artistike.

Me kthime pas në kohë, me sy për nga e tashmja dhe me mendje për nga e ardhmja, në 90 minuta, dhjetëra-mijëra të pranishmit në Coachella dhe miliona në të gjithë botën e harruan se në çfarë epoke bota po jeton.

Ky event në fakt, pritet t’u hapë rrugë edhe shumë të tjerave.

Kushtet e COVID-19 janë përmirësuar në të gjithë botën në terma të gjerë dhe njerëzit, po e presin me padurim t’u kthehen stadiumeve për të ndjekur idhujt e tyre muzikorë.

Coachella gjithnjë ka caktuar trend dhe këtë herë – sërish – caktoi atë më të rëndësishmin të dy vjetëve të fundit.

Pandemia, në terma mjekësorë, është e pranishme ende mes nesh.

Pandeminë shpirtërore ndërkaq, Coachella e ka zhbërë dhe të njëjtën gjë, do ta bëjë një javë më pas…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore