Sport

Fundi i një epoke


Friedrich Nietzsche lajmëroi “vdekjen e Zotit” poetikisht në librin e tij Zarathustra.

Zlatan Ibrahimoviç lajmëroi “vdekjen e Zotit” për së gjalli në stadiumin “San Siro”.

Nëse e para ishte një sulm ndaj lidhjes së ngushtë mes arsyes dhe hyjnisë, dhe qëmtonte traditën e krishterë, ajo e gjigandit suedez ishte një lamtumirë e mirëfillë e një epoke të tërë futbollistike.

Ndeshja e javës së fundit të Serie A kishte kaluar në plan të dytë, sepse llogaritë ishin kryer me kohë.

Kërshëri kish vetëm për Verona-n që e pati jetën të vështirë me portugezin Rafael Leao dhe Spezia-n që bënte betejë jetë a vdekje me gladiatorët e Roma-s së Mourinho-s.

Tapeti i gjelbër ishte bërë gati për një përshëndetje tejet të dhimbshme pas atyre të 13 majit 2012.

Kohë kur, kuqezinjtë u përballën me Novara-n në ndeshjen e tyre të fundit të sezonit në stadiumin San Siro.

Ajo ndeshje hyri në histori sepse ishte ndeshja e fundit e luajtur nga katër legjenda me fanellën kuqezi si: Filippo Inzaghi, Alessandro Nesta, Clarence Seedorf dhe Gennaro Gattuso.

Dikush do thotë syqorrazi se kemi të bëjmë me tjetër kohë dhe mbetet për t’u thënë që Ibra ishte kapitulli i fundit i një epoke.

“Kam shumë kujtime, kaq shumë emocione. Herën e parë që erdha këtu më dhuruat lumturi dhe herën e dytë më dhuruat dashuri. Dua të falënderoj familjen time dhe të gjithë ata që janë pranë meje për durimin e tyre dhe të falënderoj familjen e dytë, lojtarët. Dua të falënderoj trajnerin për përgjegjësinë dhe drejtuesit për mundësinë. Dhe gjëja më e rëndësishme në zemrën time, falë ‘tifozëve’ që më bënë të ndihem si në shtëpinë time. Do të jem një tifoz i AC Milan për gjithë jetën. Është koha t’i them lamtumirë futbollit, jo juve”.

Qëndronte aty në qendër të fushës i veshur me të zeza, si për të mbajtur zi për një legjendë që nuk linte futbollin, por futbolli dorëhiqej prej tij – do shkëmbenin batuta ndër të tjera tifozët.

Për ata më të rinj u tërhoq ndoshta një sulmues i përmasave botërore ndër breza, në gjurmët e “Fenomenit”, idhullit të tij Ronaldo brazilianit.

Për tifozët e viteve ’90, lotët e djeshëm ishin për nostalgjinë e një epoke të tërë që mbajti të ngërthyer tifozë nga e gjithë bota pas “Calcio-s” së Apenineve.

E pikërisht, Ibra kishte kaluar ndër tre ekipet kryesore të kampionatit italian: Juventus, Internazionale dhe AC Milan.

Mjafton të shihje mesfushorin me aq shumë pritshmëri nga e gjitha bota futbollistike, Sandro Tonali-n të përlotur ndërsa shihte xhirot e portreteve të tifozëve kuqezi të përlotur dhe mirënjohës për një lider në dhomat e zhveshjes dhe për një idhull të shkallëve të stadiumit.

Nuk ia doli dot as personazhi i ftohtë tipik ballkanas Rade Krunic, të përmbahej nga lotët apo golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për kombëtaren e Francës, Oliver Giroud që lodronte si një fëmijë kur Ibra ndërpritej nga koret e tërë “San Siro-s”.

Zlatan Ibrahimoviç ishte shumë larg banalitetit dhe këto emocione u provuan mbrëmjen e 5 qershorit nga fansat e futbollit anembanë botës.

Një futbollist i papërsëritshëm që fillon me një gjest fillikat, një marifet, një qëllim të pamundur, festë për dikë, shkatërrim i festës për dikë tjetër, sinteza se ku mund të shtysh një trup të mbështetur nga vendosmëria, fantazia, imagjinata.

Një gol i jashtëzakonshëm, ndoshta më i bukuri i tij, nga ata që do të mbahet mend më shumë.

Ju mendoni për Ibrën dhe mendoni për atë gjë absurde dhe të papërsëritshme (pikërisht) që është goli që shënoi kundër Joe Hart, në nëntor të vitit 2012, kur Suedia mundi Anglinë 4-2 (ai i shënon të katër golat).

Goditje me roveshatë? Gërshërë? Katapultë? Kërcim së larti në futboll?

Si mund ta përkufizosh një gol kaq të komplikuar, të shënuar nga kaq larg, në fluturim, me trupin të kthyer përmbys?

Dymbëdhjetë vjet nuk mund të tregohen pa marrë parasysh gjithçka që ka ndodhur më parë: adoleshencën, forcën e karakterit, mënyrën e tij të të vepruarit, të mbrohet duke sulmuar, Ajax, Juve, Inter dhe, pas Barçës, Milanit, PSG-së, Manchester United, Los Angeles Galaxy, Milan sërish.

Individualist, sigurisht, por Zlatan ka përmirësuar skuadrat për të cilat ka luajtur. Të gjitha ato.

Pra, a është ai vërtet një individualist, arrogant, centralizues, egoist, dikush që i bën të veçanta dhe të suksesshme të gjitha skuadrat për të cilat luan?

Po, por ai e paguan çmimin (shih Barça). Jo, sepse çdo ekip – i atij talenti unik dhe i dislokuar nga skemat – ka përfituar prej tij.

Ibra u mallkua me këmbët e tij të mëdha, 45, 46, 47, dhe u bekua me lëvizjet e tij, raketat e tij, golat e tij me gjoks (me PSG madje shënoi 4).

Kujtojmë se si suedezi nuk ka shënuar kurrë një gol të zakonshëm.

Një nga goditjet me kokë parashikon një avancim në gjuajtje, një shkëputje të fortë, një ngritje shumë më të madhe se kundërshtarët e tij (mendoni golin e shënuar sezonin e kaluar kundër Napoli-t, lëvizja e tij dhe shkëputja e mëvonshme e bëjnë Koulibaly-n të dukej si fillestar).

Goditjet e tij me thembër përfshijnë përdredhje dhe lëvizje të këmbëve që nuk parashikohen me ligje natyrore.

Përparimet dhe goditjet e tij tregojnë për një lehtësi që vëzhgimi i thjeshtë i fizikut të tij nuk do të mund ta imagjinonte.

Ne përmendëm akrobacinë në fillim. Ashtu si Bergkamp tha se nuk ishte i interesuar të shënonte gola të këqij, ashtu edhe Ibra nuk duket as i interesuar dhe as i destinuar të shënojë gola normalë, banalë.

Ibra e përdor trupin e tij ndryshe nga kampionët e tjerë, shumë shpesh dukej se busti i tij rrotullohet pak më shumë se sa lejohet, se këmbët e tij janë në gjendje të lëvizin drejt topit me një ritëm që u shpëton ligjeve njerëzore.

Nuk ka një pjesë të këmbës së tij me të cilën Zlatan nuk ka shënuar.

Mendova për artistin Bruce Nauman, një nga eksperimentuesit kryesorë të artit bashkëkohor, puna e tij ka lëvizur në tre linja të veçanta: studioja e artistit si një hapësirë ​​për krijimtarinë dhe punën, eksperimentimin e zërit dhe – mbi të gjitha – përdorimin performativ të trupit.

Mendova përsëri te veprat e tij tredimensionale, përmbysja e imazheve, ekranet e mëdha në të cilat riprodhohen videot e trupit të tij në veprim; trupi që thjesht lëviz, fillon të rrotullohet, në copa, pjesa e sipërme vazhdon të tregojë pjesën e përparme, pjesa e poshtme kthehet dhe shkon në drejtim të kundërt.

Zlatan, me mënyrën e tij të lojës dhe qëndrimit në fushë, për të vënë trupin në shërbim të topit, ka shpikur një performancë shëtitëse dhe hapësinore që ka zgjatur për më shumë se njëzet vjet.

Ibra i papërcaktuar na tregon një njeri që ka luajtur gjithmonë me “qenien e tij josimpatike”, që nuk i ka pëlqyer kurrë kritikat sipërfaqësore dhe kritikat në përgjithësi, që buzëqesh pak, por qesh herë pas here.

Ai na tregoi për një futbollist të jashtëzakonshëm që e shndërroi luftën mes tij dhe botës në një betejë mes tij dhe kundërshtarëve, mes tij dhe çdo mbrojtësi, mes tij dhe qindra portierëve.

E ndërsa lexuesit rishtazi prisnin të lexonin diçka mbi statistikat e tij dhe për faktin se nuk fitoi asnjëherë një Champions League, ky është një debat i fansave të FIFA-s jo tifozëve romantikë të një preludi të bukur që u mbyll me lot në sy.

Pikërisht, sepse Zlatan Ibrahimoviç shënjoi fundin e një epoke.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore