Lajme

FSK-së i shtohen edhe 190 rekrutë të rinj


Rekrutimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK).

Të premten, është mbajtur ceremonia e betimit të 190 rekrutëve të rinj të Forcave të Sigurisë së Kosovës, në kazermën “Skënderbeu”.

Ata u betuan solemnisht në prani të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti, ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, Komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zyrtarëve vendorë e ndërkombëtarë si dhe familjarëve të tyre.

Presidentja Osmani u shpreh se me rekrutimin e këtyre rekrutëve të rinj FSK përmbyllë një vit jashtëzakonisht të suksesshëm.

“Secila ditë e certifikimit të ri është e veçantë për ushtrinë dhe për shtetin tonë sepse krahas rritjes së kapacitetit, FSK po ecën me hapa të sigurt drejt përfundimit të procesit të tranzicionit”, deklaroi Osmani.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Kryeministri Albin Kurti, gjatë fjalimin të tij theksoi se “Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes e vlerësojnë mbrojtjen dhe sigurinë si shtyllë jetike të shtetit”.

Ndërkaq, shtoi se do të vazhdojë të mbështesë FSK-në dhe të përkrah aleatët tonë strategjikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve tjera të NATO-s si dhe ta modernizojmë forcën dhe ta bëjnë operacionale dhe të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve partnere.

Në përfundim të kësaj ceremonie, komandantja e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjenerabrigade Irfete Spahiu i uroi rekrutët për suksesin e dëshmuar gjatë trajnimit si dhe shprehu besimin për shërbim dhe karrierë të suksesshme në uniformën e FSK-së.

Certifikimi i 190 ushtarëve të rinj është proces në kuadër të ngritjes dhe zhvillimit të aftësive dhe kapaciteteve të nevojshme operacionale, bazuar në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së.

Më 10 nëntor, 193 rekrutë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë qenë duke e ndjekur trajnimin ushtarak në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj për tu bërë ushtarë të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore