Lajme

FSK pjesë e trajnimeve ushtarake në “Allied Spirit 22”, marrin pjesë 15 shtete


Foto nga trajnimet

Ushtrimet ushtarake “Allied Spirit 22”, kanë filluar me 21 janar në kuadër të Trajnimeve Ushtarake të Forcave Multi-nacionale në Hohenfels të Gjermanisë dhe atje po marrin pjesë edhe trupa të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Përafërsisht pjesë e trajnimit masiv janë 5 mijë e 200 trupa nga 15 shtete, ku përveç Kosovës do të jenë edhe Gjermania, Hungaria, Italia, Lativa, Lituania, Holanda, Moldavia, Polonia, Portugalia, Sllovenia, Spanja, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Trajnimet do të zgjasin nga 21 janari deri me pesë shkurt.

FSK gjate trajnimeve

Ushtrimet janë të dizajnuara që të mundësojnë ndërveprimin mes aleatëve dhe partnerëve, por përmes një gare shumë të ashpër dhe sfiduese.

“Ky trajnim është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, ka thënë gjenerali gjerman Heico Huebner, komandant i divizionit.

“Mundëson trajnime të jashtëzakonshme në një ambient të shkëlqyeshëm”.

Ky lloj organizimi është i vetmi jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që mundëson trajnimin e liderëve, stafit dhe njësive të ekipeve luftuese krah për krah me partnerët që të mund të operojnë më pas si një grup kudo që është e nevojshme në botë.

“Çdo rrotacion ka të përbrendësuar teknikat, taktikat dhe procedurat më të fundit që njësitet të kenë ambientin më të përshtatshëm për ushtrime”, ka deklaruar ushtaraku amerikan, David Allen.

“Allied Spirit u ofron njësiteve të SHBA-ve mundësinë për t’u trajnuar me aleatët dhe partnerët në situata të simuluara lufte”, shtoi Allen.

“Këto situata e forcojnë aleancën dhe mundësojnë shkëmbimin e ideve, teknikave dhe procedurave ndërmjet ushtrive”.

Veç Allen, në këtë trajnim do jenë edhe 1099 ushtarakë amerikanë të tjerë, që bashkë me grupin gjermanë i bën dy ushtritë me pjesëmarrjen më të madhe.

Shtetet e tjera do kenë grupe më të vogla ushtarakësh, varësisht në proporcion me numrin e përgjithshëm të ushtrive.

Për Kosovën nuk është bërë e ditur me sa ushtarë do të marrë pjesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore