Lajme

FSK-ja gjithmonë e gatshme të përballet me Serbinë, thotë Maqedonci  


Ejup Maqedonci

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka potencuar se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme të përballet me çdo kërcënim që mund të vijë nga Serbia.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve turke, Anadolu Agency, edicioni në gjuhën serbe, Maqedonci ka theksuar se vendosja e njësive të shumta të Ushtrisë Serbe pranë kufirit me Kosovën paraqet rrezik për vendin.

“Ne jemi gjithmonë të gatshëm. Njësitet e FSK-së janë të gatshme kundër të gjitha llojeve të kërcënimeve dhe rreziqeve me të cilat mund të përballet vendi ynë”, ka potencuar Maqedonci.

Në vlerësimin e tij jo vetëm Kosova, por edhe shtetet e tjera të rajonit, armatimin e ushtrisë serbe nga Kina, Rusia e Irani e shohin si kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë.

“Së fundmi ka pasur deklarata të presidentit Vuçiç se Serbia është duke pritur kohën e duhur për aksion ushtarak kundër Kosovës. Pra, kjo na mban vigjilentë, nuk kemi frikë nga këto ngjarje, por tregon neve se duhet ende të përmirësojmë kapacitetet tona dhe të ndërtojmë ushtrinë tonë, jo vetëm që të përballemi me këtë kërcënim, por edhe të përballemi me kërcënime të tjera që ndikojnë në sigurinë e vendit dhe territorit tonë”, ka potencuar ai.

Ndër të tjera Maqedonci ka potencuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO është synimi parësor i sigurisë kombëtare.

“Në këtë drejtim është bërë përparim i madh në përputhje me doktrinën e NATO-s. Blerjet tona të armëve janë me vendet e NATO-s. Ne nuk blejmë nga asnjë vend që nuk është anëtar i NATO-s”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore