Lajme

FSK e gatshme të ndihmojë Marokun në operacionet e kërkim-shpëtimit


Pjestare te FSK-se

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është shprehur e gatshme për të ndihmuar Marokun në operacionet e kërkim-shpëtimit, pasi që ky vend u godit nga një tërmet 6.8 shkallë të Rihterit, ku si pasojë deri më tani mbi 2 mijë persona kanë vdekur.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se po e përcjellë me “shumë vëmendje dhe keqardhje” situatën në Marok, teksa shtoi se në këto çaste të vështira për mbretin e Marokut, Mohammed VI dhe popullin maroken “lutjet tona janë me ta”.

Ejup Maqedonci

Maqedonci i ka shprehur homologut të tij maroken gatishmërinë e plotë të Kosovës që ofrojë ndihmë me të gjitha kapacitetet e specializuara për kërkim-shpëtim dhe rimëkëmbje në zonat e prekura.

“Urojmë që numri i viktimave dhe dëmeve të jetë sa më i vogël, ndërsa familjeve të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre u shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta”, shtoi.

Maroku është goditur nga një prej tërmeteve më të fuqishëm që ka përjetuar ndonjëherë.

Ekipet e shpëtimit në kërkim të të mbijetuarve gërmuan nëpër rrënojat e shtëpive të shembura në fshatrat e largëta malore të Marokut të shtunën, ndërsa forcat e armatosura u vunë në veprim pas tërmetit më vdekjeprurës të vendit në më shumë se 60 vjet.

Autoritetet shpallën tre ditë zie kombëtare pasi tërmeti me magnitudë 6.8 vrau më shumë se 2 mijë e 12 njerëz dhe plagosi 2 mijë e 59, me shumë të mbetur pa shtëpi.

Mbreti Mohammed VI i Marokut urdhëroi forcat e armatosura të mobilizojnë ekipe të specializuara kërkimi dhe shpëtimi dhe një spital në terren kirurgjik, sipas një deklarate nga ushtria.

Autoritetet shqiptare dërgojnë ngushëllime për familjet e prekura nga tërmeti shkatërrues në Marok

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore