Kosova

Fshihen – sërish – emrat e vendbanimeve në gjuhën shqipe në Veri, zëvendësohen me cirilik  


Ilustrim

Ndonëse ishin larguar para disa javësh, sërish në disa shenja të komunikacionit në Veri të Kosovës, përkatësisht në komunën e Zveçanit dhe Leposaviqit, persona të panjohur i kanë zëvendësuar emrat e vendeve në gjuhën shqipe me ato në alfabetin zyrtar serb, cirilik, raporton “Kossev”.

Me ndihmën e Policisë së Kosovës dhe me organizim të Ministrisë së Infrastrukturës që drejtohet nga Liburn Aliu, në mesin e muajit mars ishin hequr tabelat njëgjuhëshe në alfabetin cirilik dhe latin dhe ishin vendosur tabela të reja dygjuhëshe – në pjesë lart, dhe në pjesën poshtë në gjuhën latine.

Mirëpo, disa nga këto tabela kanë marrë një pamje të re mbrëmjen e së enjtes, kur emrat e vendeve në gjuhën shqipe u mbishkruan me emra në serbisht, përkatësisht alfabetin cirilik.

Këto pamje janë vërejtur në fshatin Grabovc të Zveçanit, Kajkov dhe Leshko në komunën e Leposaviqit.

Ilustrim

Ndryshe, Ministria e Infrastrukturës nuk ishte konsultuar me Komisionerin për Gjuhë për largimin e të gjitha tabelave të komunikacionit të cilat ishin shkruar në alfabetin cirilik në komunat të banuara me shumicë serbe.

Kështu të paktën kishte bërë të ditur Komisioneri për Gjuhë në Zyrën e Kryeministrit, Slavisha Mladenoviç, në vlerësimin e të cilit renditja e gjuhës në këto tabela është gabim, meqë Kushtetua e Kosovës parasheh ndryshe.

“Shenjat në Veri të Kosovës, duhet të jenë së pari në gjuhën serbe, pastaj në gjuhën shqipe. Gjuha e shumicës së banorëve është gjuha primare”, ka thënë ai.

“Neni 59 i Kushtetutës së Kosovës flet për të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, ku në paragrafin 9 thuhet ‘të kenë emërtime lokale, emërtime të rrugëve dhe tregues të tjerë topografikë, që pasqyrojnë dhe janë të ndjeshëm ndaj karakterit shumetnik dhe shumëgjuhësor të zonës përkatëse’.

Mladenoviç ndër të tjera ka bërë të ditur se ka kërkuar takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe së shpejti do të kërkojë takim edhe me ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu, për të zgjidhur këtë çështje me dialog.

Ndryshe në mbështetje të Mladenoviç-it ka dalë fillimisht shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog e më pastaj e shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.

Si Szunyog ashtu edhe Davenport kanë vlerësuar se autoritetet kosovare do të duhej që para fillimit të procesit të zëvendësimit të tabelave të konsultoheshin me Komisionerin për Gjuhë.

“Me iniciativën e fundit për të zëvendësuar tabelat zyrtare që tregojnë emrat e vendeve në Veri të Kosovës, u bëjë thirrje autoriteteve ta zbatojnë procesin vetëm pas konsultimit me Komisionerin për Gjuhë dhe duke e interpretuar pozitivisht Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve”, shkroi Szunyog në platformën sociale, X.

“Ne mbështesim Komisionerin për Gjuhë në Zyrën e Kryeministrit në përcaktimin e respektimit të përputhshmërisë gjuhësore sipas legjislacionit në fuqi. Hapat për të zëvendësuar shenjat që tregojnë emrat e vendeve në gjuhët zyrtare duhet të ndjekin konsultimin me Zyrën e tij”, shkroi Davenport në platformën sociale, X.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, kishte bërë të ditur se tabelat në gjuhën serbe po zëvendësohen me shenjat zyrtare të vendbanimeve sipas ligjeve të Kosovës.

Mirëpo vetëm një ditë pas vendosjes së tabelave me emërtimet e vendbanimeve me shumicë serbe në komunat veriore në gjuhën shqipe, të njëjtat ishin dëmtuar.

Me shumë se gjysma e tabelave ishin ngjyrosur gjatë natës nga persona të panjohur.

Në shumicën prej tyre ishte ngjyrosur vetëm pjesa ku emri i vendbanimit shkruhej shqip.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore