Vende

Fshati kroat ku përpihet toka


Frika mbizotëroi ndër fshatarët e Kroacisë veri-lindore, të cilët humbën mes mendimeve se shtëpitë e tyre mund të përpiheshin kur thuajse 100 gropa të mëdha u shfaqën brenda një muaji.

Tanimë, u është lënë shkencëtarëve të përpiqen të kuptojnë nëse toka që ka mbetur është e sigurt.

Kjo ndodhi krejt papritur dhe pa paralajmërim. Aty ku do të duhej të dilnin fidanët e parë të patates pas kopshtit të gjerë të Nikola Borojević, tani kishte një gropë të madhe 30 metra të gjerë dhe 15 metra të thellë, e cila u mbush shpejt me ujë.

Dhe kjo nuk ishte e vetmja gropë.

Dhjetëra gropa të ngjashme ishin hapur brenda disa javësh rreth fshatit Mečenčani dhe fshatit fqinj Borojovići në Kroacinë veri-lindore.

Gropa që ndodhej jashtë shtëpisë së Borojeviç në Mečenčani u shfaq më datë pesë janar, vetëm gjashtë ditë pasi një tërmet me magnitudë 6.4 goditi zonën përreth qytetit afër Petrinja. Ishte tërmeti më i fortë që kishte goditur Kroacinë për më shumë se katër dekada, duke vrarë shtatë vetë dhe shkatërruar mijëra shtëpi.

Edhe pse rrëshqitjet e tokës dhe gropat e hapura dihet se shkaktohen nga tërmetet, së bashku me fenomene të tjera të çuditshme gjeologjike si lëngëzimet ku toka e ngurtë fillon të shkriftohet, numri i madh i gropave që u shfaqën përreth dy fshatrave i befasoi dhe i hutoi ekspertët.

Numëroheshin thuajse 100 gropa zhytëse të shpërndara në një zonë prej 10 kilometra katrorë, me të reja që hapeshin çdo javë, veç një muaj pas tërmetit.

Në kopshtin e Borojeviç, gropa e hapur rezulton të jetë më e madhja në zonë. Kur u shfaq për herë të parë ishte e gjerë 10 metra, por nisi të rritet pothuajse menjëherë.

“Gruaja ime ishte në shtëpi tërë mëngjesin, duke parë herë pas here nëpër dritare”, ka treguar Borojević. “Rreth orës 14:00 ajo vuri re diçka të çuditshme në kopsht. Ne dolëm jashtë dhe ishte kjo gropë e madhe në pemishten tonë”.

Dhe përgjatë tre muajve në vijim, madhësia e gropës u trefishua.

Por Borojeviç-ët ishin me fat, shkruan BBC. Kjo pasi gropat e tjera në zonë u hapën vetëm disa metra larg pragjeve të shtëpive të njerëzve dhe njëra u shfaq nën një shtëpi, duke bërë që zyrtarët të konsideronin evakuimin e të dy fshatrave.

Sakaq, të tjerat u shfaqën në pyjet përreth dhe fushat bujqësore, ku një prej tyre, sipas disa thashethemeve lokale, thuajse gëlltiti fermerin vendas dhe traktorin e tij.

Ky numër jashtëzakonisht i madh i gropave në një vend ka tërhequr vëmendjen e gjeologëve vendas dhe të huaj, të etur për të kuptuar se si tërmeti mund të ketë shkaktuar shembjen e tokës.

“Askush nuk e priste shfaqjen e kaq shumë gropave”, ka thënë sizmologu Josip Stiposević nga departamenti i gjeofizikës në Fakultetin e Shkencave në Zagreb.

Stipčević ka shpjeguar se Kroacia ndodhet në një zonë shumë aktive sizmike, ku pllaka e vogël e Adriatikut po përplaset me pllakën tektonike Euroaziatike, duke shkaktuar një numër shkarjesh aktive.

Para tërmetit të 29 dhjetorit 2020, vendi kishte përjetuar nëntë të tjerë me një magnitudë mbi 6 që nga fillimi i shekullit të XX. Tërmeti i fundit i madh që ka ndodhur në Pokupsko-Petrinja, përgjatë të cilit ndodhi edhe më i fundit, ka ndodhur në vitin 1909.

Tanimë, studiuesit po analizojnë të njëjtën zonë me shpresën për të kuptuar se si tërmeti bëri që kaq shumë gropa të shfaqeshin papritur.

BBC tregon se këto gropa zhytëse nuk janë pasoja më e zakonshme e goditjeve të fuqishme sizmike por ato ndodhin, veçanërisht në zonat me zgavra të fshehura nëntokësore. Pas tërmetit shkatërrues pranë qytetit italian L’Aquila në vitin 2009, dy gropa zhytëse u hapën menjëherë nëpër rrugë në pjesën e vjetër të qytetit.

Asokohe, espertët dyshuan se një gërmim i mëparshëm i llogoreve vertikale për një kanal të ujërave të zeza dobësoi çatinë e konglomeratit të shpellës nëntokësore, duke kontribuar në shembje.

“Anomalia e vërtetë në rastin e Kroacisë është një numër shumë i lartë gropash me dimension të rëndësishëm”, është shprehur gjeologu italian, Antonio Santo, në Universitetin e Napolit Federico II.

Këto gropa të thella dhe të gjera që rrezikojnë dy fshatrat kroate njihen si gropat e rënies së mbulesave. Zakonisht shfaqen në zona ku shkëmbi nëntokësor është zbrazur për të formuar zgavra dhe shpella nga uji dhe është i mbuluar me një shtresë të trashë toke, rërë ose aluvioni, dhe më e rëndësishmja, argjilë.

Mirëpo, me kalimin e kohës, uji lan ngadalë materialin sipërfaqësor nga shtresat e tij më të thella në nëntokën shpellore. Nëse do të kishte vetëm tokë me rërë, ky proces mund të dallohej përfundimisht në sipërfaqe. Por prania e argjilës e bën këtë material sipërfaqësor më të guximshëm dhe të qëndrueshëm.

Kështu që pas një kohe, formohet një boshllëk në tokë nga poshtë, por është pothuajse e pazbulueshme mbi tokë. Dhe teksa shtresa sipërfaqësore bëhet më e dobët nga pikëpamja strukturore, ajo përfundimisht shembet në boshllëkun më poshtë.

Zakonisht ky proces ndodh gjatë një periudhe të gjatë kohore, por mund të përshpejtohet nga reshjet intensive të shiut, përmbytja apo edhe aktiviteti njerëzor si minierat ose pompimi agresiv i ujërave nëntokësore.

Gjeologët kroatë, pasi analizuan të dhënat e mbledhura nga zonat përreth Mečenčani dhe Borojovići, arritën në përfundimin se ngjarjet e çuditshme rezultuan nga një kombinim kompleks i disa faktorëve të ndryshëm.

Megjithëse pjesa bregdetare e Kroacisë i përket karstit Dinarik me famë botërore, shtëpia e mijëra shpellave të thella gëlqerore dhe qindra specieve endemike të shpellave, formacione gëlqerore nëntokësore, shtrihen gjithashtu në brendësi të Kroacisë qendrore.

Dhe guri gëlqeror që formon shkëmbinjtë shpellorë në këtë zonë kufitare midis karstit Dinarik dhe pellgut Pannonian u depozitua në periudhën e Miocenit kur kjo zonë ishte nën ujë dhe e lidhur me atë që tani është deti Mesdhe.

“Teksa karsti Dinarik është kryesisht i periudhës Kretace dhe Jurasike, karsti që gjejmë këtu është më i ri dhe madje edhe më poroz dhe i zbrazët”, ka thënë Josip Terzić, një hidrogjeolog nga Anketa Gjeologjike Kroate. “Ai është i kufizuar në disa zona të vogla këtu përreth dhe afër qytetit të Zagrebit”.

BBC shkruan se kur pellgu Pannonian u shkëput nga Mesdheu për shkak të zhvendosjes së tokave rreth 11 milionë vjet më parë, ai u bë një liqen masiv. Lumenjtë e mbushën atë ngadalë me baltë, rërë dhe zhavorr për të formuar ultësirën e sotme të gjerë.

Si pasojë, afro 10 deri në 15 metra tokë, gurë dhe argjilë u vendosën në majë të shkëmbit poroz nën fshatrat Mečenčani dhe Borojevići.

Megjithatë, rreziku ishte i vështirë për t’u zbuluar. Disa gropa sporadike u shfaqën më parë, por sipas vendasve, shumë rrallë.

“Është e qartë se tërmetet përshpejtuan disa procese tanimë të vazhdueshme”, ka thënë Terzić. Në fakt, gropa e parë e zbuluar nisi të hapet pasi një tërmet me magnitudë 5 goditi zonën një ditë para një goditjeje më të madhe.

Ndërsa tërmeti më i fortë dhe lëkundjet shoqëruese tronditën zonën, ai bëri që toka të zhvendosej me më shumë se 30 centimetra. Dhe kjo zhvendosje e destabilizoi situatën e pasigurt.

Në bazë të një raporti të fundit nga shkencëtarët në Universitetin e Zagrebit paralajmëron se sistemet e ujitjes në zonat Mečenčani dhe Borojevići ndoshta e kanë përshpejtuar procesin e karstifikimit.

“Tërmetet shkaktuan një stres dinamik masiv në këto toka dhe vendet që ishin tashmë në ekuilibër kufitar u shembën papritmas”, ka rrëfyer Terzić.

Kolegu i tij, Bruno Tomljenović, një gjeofizikant në Universitetin e Zagrebit, beson se tërmetet prishën lëvizjen e ujit nën tokë, duke e dërguar atë të qëllonte lart drejt sipërfaqes dhe duke lëvizur nga zonat me presion të lartë në ato me presion më të ulët.

Tomljenović ka shpjeguar se Kjo hidrodinamikë e rritur në pasazhet nëntokësore e ka përshpejtuar shembjen e materialit sipërfaqësor.

“Gjithashtu, ekziston një shans që disa gropa të rrëzuara të shkaktonin ndryshime shtesë në hidrodinamikë, me kërkimin e ujit për kalime të reja dhe ndoshta duke shkaktuar më shumë gropa”, ka daluar Tomljenović.

Por mundet që edhe një numër jashtëzakonisht i madh tronditjesh mund të ketë kontribuar në kaq shumë shembje në të njëjtën kohë. Të paktën kështu mendon gjeologu George Veni, drejtori i Institutit Kombëtar të Shpellave në New Mexico.

Veni ka paralajmëruar se edhe ndikimi i njeriut rrit shkallën me të cilën formohen gropat e rënies së mbulesës.

Kurse një tjetër raport i nxjerrë nga shkencëtarët në Universitetin e Zagrebit paralajmëron se sistemet e ujitjes të ndërtuara në zonën Mečenčani dhe Borojevići ndoshta e kanë përshpejtuar procesin e karstifikimit.

Tani për tani, shkencëtarët nuk kanë të dhëna të mjaftueshme për të analizuar lidhjen midis forcës dhe numrit të tërmeteve me pamjen e gropave.

“Situata në Kroaci mund të konsiderohet si paralajmëruese për atë që mund të ndodhë në vendet me tërmete dhe zona që janë të prirura për t’u zhytur në gropat e rënies”, ka parashikuar Veni.

Por parashikimi se ku mund të hapen gropat nuk është aspak i lehtë. Kështu ka thënë gjeologu Mario Parise, një ekspert mbi rreziqet në mjediset karstike në Universitetin Aldo Moro në Bari, Itali.

“Ne deri tani mund të mbështetemi vetëm në të dhënat dhe dokumentet historike për të njohur fushat që janë më të ndjeshme ndaj këtij lloji të proceseve”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se megjithëse disa modele të rrezikut të gropave janë propozuar në dekadën e fundit, “zhvillimi i një sistemi paralajmërues për hapësirat e gropave është një fushë ku duhet të punohet shumë”.

Për Tomljenoviq, një nga mësimet e nxjerra nga gropat kroate është nevoja për mikrozonizim sizmik më intensiv në mënyrë që të zbulohen zona brenda zonave të populluara që janë veçanërisht të  prekshme nga pasojat e rrezikshme të tërmetit.

Së bashku me kolegët e tij, po përpiqet të bëjë këtë duke përdorur tomografinë e rezistencës elektrike dhe rilevimin e thyerjes sizmike në zonat Mečenčani dhe Borojevići. Kjo me shpresën për të identifikuar vendet që janë të sigurta nga gropat dhe ato që janë akoma të prirura për to.

Sipas BBC, rreziku i zhytjeve të reja që mund të shfaqen gjatë vitit të ardhshëm është ende në mendjen e shumë banorëve. Stipčevi dallon se ndryshimet në sipërfaqen e ujit gjatë vitit, të kombinuara me lëkundje të mëtejshme teksa zgjidhet defekti, mund të çojnë në më shumë shembje.

Ndërkohë, gropa masive e mbushur me ujë qëndron ende në kopshtin e Borojeviç dhe madje është bërë një atraksion turistik lokal. Gjashtë muaj pas tërmetit, përpjekjet për të mbushur pusetat duhet të fillojnë së shpejti.

“Është gjithashtu një biznes i ndërlikuar”, ka treguar gjeotekniku, Davor Ljubičić, i cili po koordinon grupin e punës në njësinë e krizës së mbrojtjes civile.

“Shumë afër këtyre dy fshatrave është burimi i furnizimit me ujë komunal Pašino vrelo, si dhe një numër pusesh private. Pra, duhet të jeni vërtet të kujdesshëm për të zgjedhur materialin për mbulimin e gropave”, ka shtuar ai.

Kurse Mario Bačić, një inxhinier civil në Universitetin e Zagrebit, ka thënë se përdorimi i çimentos ose materialit të gabuar për të mbushur gropat mund të ndotë burimet lokale të ujit të pijshëm.

Kështu që inxhinierët shpresojnë t’i mbyllin ato me gurë të mëdhenj dhe pastaj të mbushin pjesën tjetër me gurë dhe zhavorr më të vogël, ka treguar ai.

Por, kjo nuk do të jetë aspak e lirë. Mbushja e gropës në Borojević mund të kushtojë afro 200 mijë euro.

“Unë mund ta kthej atë në një pellg peshku”, ka bërë shaka Borojević.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore