Fronti Evropian: Mos respektimi i legjitimitetit nga VMRO/VLEN – etablim i hegjemonisë etnike dhe poshtërim ndaj shqiptarëve

SHFLETO
Valon Rashiti
02.06.2024 16:52
Loading Icons...

Liderët e koalicionit “Fronti Evropian” në Maqedoninë e Veriut me vota unanime e kanë miratuar Deklaratën Politike mbi legjitimitetin etnik që buron nga zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 8 maj, e të cilat i fitoi ky koalicion në taborin shqiptar, por partia nacionaliste VMRO-ja e cila i fitoi zgjedhjet ka përzgjedhur koalicionin “VLEN” që të bëjë koalicion, duke anashkaluar kështu parimin fituesi me fituesin (te shqiptarët dhe te maqedonasit).

“Demokracia konsensuale në vendin tonë nënkupton organizim të komuniteteve në parti politike dhe pjesëmarrje në zgjedhje për ta fituar legjitimitetin e bashkëkombësve të tyre dhe ky vullnet i komuniteteve tona, rrjedhimisht, patjetërsisht duhet të respektohet nga mandatari. Mos respektimi i legjitimitetit mundëson etablimin e hegjemonisë etnike dhe paraqet poshtërim ndaj shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe të tjerëve”, thuhet në deklaratë.

Në reagim po ashtu theksohet se demokracia në RMV mund të jetë funksionale dhe e qëndrueshme vetëm atëherë kur komuniteti shumicë respekton përfaqësuesit legjitim të vullnetit politik të shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe të komuniteteve tjera.

“Ky majorizim monoetnik, që shkel mbi legjitimitetin e komuniteteve tjera etnike, rëndon bashkëjetesën, demokracinë dhe nuk duhet të lejohet nga të gjithë ne bashkërisht”.

“Ne, forcat vendore dhe komuniteti ndërkombëtar, garantues i Marrëveshjes së Ohrit dhe lehtësues i Marrëveshjes së Majit, nuk duhet të lejojmë kthim prapa, zhbërje të të arriturave të deritanishme të përbashkëta dhe duhet të pamundësojmë përsëritje të mosrespektimit të vullnetit politik dhe legjitimitetit të sovranit, sepse të gjithë bashkë kemi përgjegjësi për paqen, sigurinë, stabilitetin e vendit dhe rajonit tonë”.

Tutje në reagim potencohet se partnerët koalicionues qeverisës duhet të përcaktohen nga vullneti politik i dy komuniteteve më të mëdha në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve, si dhe përfaqësuesve legjitim të komuniteteve tjera të shprehur në zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, e drejtë kjo zakonore e zbatuar në vend që mundëson legjitimitet, demokraci funksionale, kohezion shoqëror, konsensualitet dhe përfaqësim të drejtë në vendimmarrje.

“Ritheksojmë kursin tonë euro-atlantik si alternativë e vetme për të ardhmen e përbashkët të Maqedonisë së Veriut dhe angazhimin tonë për zbatim të plotë të normave dhe të frymës së Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe atë për fqinjësi të mirë dhe mbylljes së të gjitha çështjeve të hapura me fqinjët si parakusht për të vijuar rrugën evropiane, konstatojmë pa tjetërsinë e zbatimit të demokracisë konsensuale në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Ndryshe, në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni të Veriut, sa i përket kampit shqiptar, fitues me mbi 30 mijë vota doli “Fronti Evropian”, i cili numëron 18 deputetë, apo 4 më shumë seç fitoi koalicioni i partive opozitare shqiptare “VLEN”, të cilët morën 14 ulëse në kuvend.

Ndërsa, te kampi maqedonas, fitues absolut është partia nacionaliste VMRO-DPMNE, e cila siguroi plotë 58 ulëse në parlamentin e Maqedonisë së Veriut nga 120 sa i ka gjithsejtë, derisa LSDM-ja, partia që deri më tani kishte pushtetin mori vetëm 18 deputetë – rezultatin më të dobët në histori të saj.

Ulëse në kuvendin maqedonas kanë fituar edhe dy parti të tjera maqedonase. Nga 5 sosh i kanë marrë e majta ekstrem “Levica”, dhe Lëvizja “ZNAM”.

Përkundër se në kampin fitues është “Fronti Evropian”, VMRO-DPMNE-ja, si fituese në taborin maqedonas është duke e anashkaluar parimin e fituesit me fituesin (te shqiptarët dhe maqedonasit), duke bërë kështu koalicion me “VLEN”-in.