Lajme

“Frika e Biden-it”, studiuesi amerikan: Nëse Vuçiç-i rrëzohet, një regjim akoma më ekstremist do të vijë në pushtet


Chris Dolan

Profesori dhe studiuesi amerikan, Chris Dolan, përmes një cicërime në rrjetin social Twitter, tha se njëra ndër arsyet pse administrata e presidentit Joe Biden nuk do të ndryshojë qëndrim karshi Serbisë, është sepse Shtetet e Bashkuara i frikësohen kolapsit të regjimit të presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe pasojave që mund të ketë në Ballkanin Perëndimor.

“Nëse regjimi i Vuçiç-it do të rrëzohej, Amerika supozon se një regjim akoma më ekstremist dhe më nacionalist apo militant do të vijë në pushtet në Beograd duke ngritur perspektivat e një lufte tjetër ballkanike”, shkroi Dolan.

Sipas tij, e njejta strategji po përdoret nga administrata e Biden-it edhe ndaj presidentit rus Vladmir Putin pas pushtimi të Ukrainës.

“Është e njëjta strategji që administrata Biden po përdor kundër Vladimir Putin-it. Amerika frikësohet se nëse i jep shumë ndihmë Ukrainës, regjimi i Putinit mund të shembet dhe pasardhësi i tij mund të jetë edhe më ekstrem dhe agresiv”, shtoi ai.

Me këto pikëpamje pajtohet edhe hulumtuesja Ivana Stradner, e cila ditë më parë shkroi në Twitter se është kërcënuar nga një zyrtar i lartë i qeverisë serbe për gjoja “dëmtim të reputacionit të Serbisë”.

“Vuçiç është i zgjuar dhe shmang gabimet e paraardhësve të tij. Ai ka shkatërruar opozitën liberale dhe e paraqet veten si forca e stabilitetit në Ballkan, kështu që ai gjithmonë mund të përshkallëzojë tensionet dhe më pas të shantazhojë BE-në dhe SHBA-në që kanë frikë nga tensionet në Ballkan”, shkroi ajo në Twitter.

Ndryshe, në Kosovë prej kohësh është kërkuar një prezencë shumë më e madhe amerikane në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten se Beogradi do ta vonojë arritjen e një marrëveshjeje me shpresën se do të ndërrojë pushteti në SHBA.

“Jam plotësisht i bindur që Beogradi po pret vitin 2024 dhe ta vonojë dialogun e marrëveshjet me Kosovën derisa shpresojnë se do të ndërrojë presidenti në Shtëpinë e Bardhë. Pra, pritja e dyfishtë krijon disa shpresa të rreme në Perëndim”, tha Kurti në Akademinë Diplomatike të Vjenës.

Edhe nëse përfshihet Amerika më shumë në dialog, Serbisë aq i bën – Vuçiç po sfidon BE-në dhe SHBA-në edhe për Ukrainën: Intervistë me profesorin amerikan Edward P. Joseph

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore