Kosova

Freedom House: Kosova në mesin e vendeve pjesërisht të lira


Ilustrim

Organizata jo-qeveritare, Freedom House, që kryen kërkime dhe avokon mbi demokracinë, lirinë politike dhe të drejtat e njeriut, ka publikuar një edicion special të titulluar “Shënimi i 50 viteve të luftës për demokraci”.

Sipas kësaj organizate liria në botë shënoi rënie për të 17-in vit me radhë. Agresioni i Rusisë në Ukrainë çoi në shkelje shkatërruese të të drejtave të njeriut në Ukrainë.

Grushtet e shtetit dhe përpjekje të tjera për të, dëmtuan qeveritë përfaqësuese dhe destabilizuan Burkina Fason, Tunizinë, Perunë dhe Brazilin.

Në raport thuhet se 84 vende të botës përfshihen na kategorinë e vendeve të lira, ndërsa 57 në vende jo të lira.

Ndërsa organizata radhiti vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnjën, në mesin e vendeve pjesërisht të lira, gjatë vitit 2022.

Sipas raportit Kosova shënoi një përmirësim prej katër pikësh në radhitjen e Freedom House që shkon deri në 100 pikë.

Amy Slipowitz, nga organizata Freedom House, ka deklaruar se ndër arsyet e përmirësimit prej 4 pikësh ishin të drejtat politike.

“Rrjetet klienteliste kanë më pak ndikim në qeverinë aktuale, dhe gjithashtu ka pasur një rritje të përfaqësimit të grupeve të ndryshme si gratë e përkatësisë kombëtare serbe dhe pjesëtarëve të komunitetit LGBT plus, në institucionet qeveritare, por edhe në jetën politike në përgjithësi. Pastaj sa u përket të drejtave qytetare, liria akademike ka fituar terren në Kosovë. Ka më pak ndikim politik në emërimet e drejtuesve të universitetit”, tha ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore