Shqipëria

Fredi Beleri kërkoi pezullim të dekretit të Begajt për zgjedhjet, çështja kalon në seancë gjyqësore


Fredi Beleri ka kërkuar pavlefshmëri të dekretit të Presidentit të Republikës lidhur me shpalljen e zgjedhjeve për kryebashkiak të Himarës në 4 gusht, ndërsa çështja ka kaluar në seancë gjyqësore që do të mbahet më 30 korrik.

Beleri u rikthye në qelinë e Burgut të Fierit rreth orës 15:30 më 20 korrik – pas përfundimit të lejes pesë ditore që iu mundësua nga autoritetet shqiptare.

Kjo pasi ai u betua në Parlamentin Evropian si eurodeputet i Greqisë.

Në një prononcim për mediat para se të rikthehej në qelinë e tij, Beleri kërkoi lirimin me kusht, teksa pritet vendimi nga Gjykata e Fierit.

Ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës zhvilloi një sërë takimesh me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis dhe figura të tjera të politikës greke.

Ai e konsideron dënimin për blerje votash si të padrejtë dhe ka paralajmëruar se do ta dërgojë në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Për Belerin, Himara do të jetë pjesë e Shqipërisë evropiane.

“Mirëpres deklaratat e zotit Tavo edhe pse është përfaqësues i keqbërësit më të madh të Himarës në këto vitet e fundit. I bëj ftesë zotit Tavo që të japim duart të bashkëpunojmë, që të nxjerrim në krye të Bashkisë Himarë të nxjerrim zotin Petro Gjikuria, i cili do të na nderojë dhe do të punojë për Himarën”, tha ai.

Beleri do të vazhdojë të qëndrojë në burg edhe për dy muaj e gjysmë, për të përfunduar dënimin me dy vite burg për blerje votash.

Beleri u zgjodh eurodeputet nga radhët e Demokracisë së Re në zgjedhjet evropiane të 9 qershorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore