Lajme

Frankfurter Allgemeine Zeitung shkruan për marrëveshjen Kosovë Serbi – Lajm i mirë për Kosovën, ja pse


Zyrtarë të EULEX-it duke patrulluar në Veri të Kosovës: Fotoja të cilën ka prezantuar FAZ për artikullin.

Gazetari gjerman, Michael Martens, ka shkruar në gazetën e famshme Frankfurter Allgemeine, për marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë në Bruksel rreth targave ilegale serbe që qarkullojnë në Kosovë.

Martens e ka quajtuar “një lajm i mirë nga Kosova”, zhvillimin e së mërkurës në kryeqytetin evropian.

“Mosmarrëveshja e targave serbo-kosovare u zbut në përpjekjen e dytë me një kompromis të ndërmjetësuar nga BE, të paktën për momentin”, shkruan ai.

Marrëveshja është e përkohshme, por Martens shkruan se “pritet që çështja e lodhshme të zgjidhet vetë me kalimin e viteve”.

“Kompromisi është gjithashtu një lajm i mirë për Kosovën, sepse përshkallëzimi i afërt kërcënoi të rrezikonte një qëllim politik shumë më të rëndësishëm të shtetit”, thuhet në shkrimin duke iu referuar momentit kur tashmë ka në tavolinë një plan franko-gjerman që tenton zgjidhjen përfundimtare të problemit mes Kosovës e Serbisë.

Martens kujton se përveç Armenisë, Azerbajxhanit, Bjellorusisë dhe Rusisë, ku për arsye të qarta nuk ka ndryshime në pritje për vizat, Kosova është vendi i fundit evropian, qytetarët e së cilës ende kanë nevojë për viza për të udhëtuar në BE.

Mos liberalizimi i vizave për Kosovën paraqet një absurd, sepse, siç sqaron edhe Martnes “kosovarët vështirë se luajnë një rol në statistikat evropiane të azilit”.

Në Francë, që është një nga shtetet kundërshtuese prej kohës, “në vitin 2021 janë regjistruar vetëm 855 kërkesa kosovare për azil”.

“Megjithatë, lufta e Rusisë kundër Ukrainës duket se indirekt i ka vënë gjërat në lëvizje në rastin e Kosovës dhe ka pasur një efekt unifikues në BE”.

“Shtetet e BE-së duan të bien dakord që qytetarët kosovarë të mund të hyjnë në BE pa viza nga janari i vitit 2024. Disa vende, si Austria, donin të shihnin heqjen e vizave që në gjysmën e dytë të 2023”.

Ai tërheqë vërejtjen që nëse nuk arrihet liberalizimi i vizave gjatë presidencës çeke të BE-së, presidenca e këshillit do të mbahet nga Spanja, e cila, së bashku me Rumaninë, Sllovakinë, Greqinë dhe Qipron, është një nga pesë vendet anëtare që nuk e njohin Kosovën për arsye të brendshme.

Sipas raportimeve, “Spanja, ashtu si katër vendet e tjera që nuk e njohin, nuk është kundër regjimit pa viza për Kosovën, por raporton se nuk dëshiron ta ndërmarrë këtë hap gjatë kohës sa e ka presidencën”.

Një dështim për heqje vizash në këtë kohë, do të krijonte komplikime të shumta për Kosovën, meqë gjatë presidencës spanjolle ka rrezik që çështja e vizave të mos futet fare në agjendë dhe më pas, në gjashtë mujorin tjetër, presidenca i kalon Suedisë, që nga zgjedhjet e fundit udhëhiqet nga një qeveri me tone shumë të djathta dhe kundër emigrantëve që i ka hall të brendshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore