Boterori 2022

Franca mposht Poloninë dhe kalon në çerekfinale


Franca e ka mposhtur Poloninë në fazën e 1/8-ve të finales në Kupën e Botës me rezultat 3:1.

Franca e nisi shumë mirë ndeshjen duke e kontrolluar në përgjithësi lojën, megjithatë rasti i parë serioz për gol ishte për polakët.

Ishte minuta e 21-të e takimit, kur Polonia rrezikoi me anë të Robert Leewandowski-t, por goditja e tij përfundoi jashtë.

Nëntë minuta më vonë, francezët rrezikuan përmes Olivier Giroud, mirëpo edhe gjuajtja e tij shkoi jashtë.

Ndërsa në minutën e 38-të, u regjistrua rasti më i mirë për Poloninë, por Piotr Zielnskit nga një distancë e afërt, e qëlloi në trup portierin Hugo Lloris.

Goli i epërsisë për Francën u shënua në minutën e 44-të, ku Kylian Mbappe asistoi te Giroud, që realizoi për 1:0.

Sulmuesi i Milan-it, me këtë gol u bë golashënuesi më i mirë në histori të Francës, duke kaluar Thierry Henry-n i cili ishte i pari me 51 gola.

Pjesa e parë përfundoi me këtë gol, derisa në të dytën polakët provuan të rikthehen në lojë.

Megjithatë, Franca arriti të shënonte edhe njëherë me Kylian Mbappe, i cili e shënoi një gol shumë të bukur në minutën e 74-të.

23-vjeçari mori një pasim të mirë nga Ousmane Dembele, i cili me një goditje të fortë në hyrje të zonës, e mposhti portierin polak, Wojciech Szczesny-n.

GOLI I PARË I MBAPPE.

Pas këtij goli, polakët si duket u dorëzuan dhe pësuan edhe një gol tjetër në minutën e parë shtesë.

Ishte përsëri Mbappe, i cili e shënoi një gol të mrekullueshëm, që ishte i pesti për të në këtë Kampionat Botëror, ndërsa i nënti në total.

Vlen të theksohet se me këta dy gola, Mbappe tani e ka parakaluar legjendën braziliane, Pele, për golat e shënuara në Kampionate Botërore.

Pele tani ka tetë gola, ndërsa Mbappe nëntë.

GOLI I DYTË I MBAPPE.

Krejt çka bëri Polonia, ishte goli i nderit në këtë ndeshje, të cilin e arritën në minutat e fundit shtesë.

Fillimisht Lewandowski humbi penalltinë ndaj Lloris, por ajo u përsërit pasi që portieri francez lëshoi portën para kohe, derisa në tentimin e dytë, sulmuesi polak shënoi për 3:1.

Tani Franca kualifikohet në çerekfinale të Kupës së Botës, ku tani e pret fituesin e duelit Angli – Senegal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore