
Franca ka mirëpritur njoftimin për heqjen e barrikadave në Veri të Kosovës, të cilat nga 10 dhjetori kanë pamundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Kështu të paktën thuhet në një komunikatë për media e lëshuar nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës.
Në këtë komunikatë veçanërisht është falënderuar përpjekja e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për të zhbllokuar ngërçin e krijuar pas bllokimit të rrugëve në katër komunat veriore të Kosovës.
Përpos tjerash Franca ka kërkuar që Kosova dhe Serbia pas de-eskalimit të situatës në Veri të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të normalizuar marrëdhëniet në kuadër të dialogut.
“I bëjmë thirrje autoriteteve kosovare dhe serbe që të vazhdojnë angazhimin e tyre konstruktiv për të ulur tensionet në terren dhe për të përparuar drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve të tyre në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga MPJ-ja franceze.
Në fund Parisi zyrtar ka kërkuar që të zbatohen të gjitha marrëveshjet paraprake që janë derivat e dialogut shumë vjeçar në Bruksel.
“Të gjitha angazhimet e marra në kuadër të këtij dialogu duhet të zbatohen”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi se barrikadat e vendosura në Veri do të hiqen me fillim të enjten e 29 dhjetorit, pas lirimit të Dejan Pantiç dhe dërgimit të tij në arrest shtëpie si masë e zbutur kjo nga ajo e paraburgimit.
Qeveria e Kosovës vetë nuk vendosi të ndërhynte për largimin e 16 barrikadave, derisa largimin e tyre ia kërkoi KFOR-it.
KFOR-i nuk e bëri e EULEX-i u deklarua që nuk ka kapacitet për ta bërë.
Kështu në mëngjesin e enjtes barrikada, e cila ndodhej dy kilometra larg pikës kufitare në Merdare, në territorin e Serbisë, është hequr.
Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.
“Bazuar në informacionet e fundit, rruga e cila ishte bllokuar me 27.12.2022 në kilometrin e dytë brenda në Serbi, sot në ora 09:50 është liruar për qarkullim.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com