Kosova

Franca i bën thirrje Kosovës të përmbahet nga “veprimet e mëtejshme përshkallëzuese” në veri


Emmanuel Macron

Franca u shpreh e shqetësuar për mbylljen nga Policia e Kosovës të gjashtë filialeve të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe, duke u bërë thirrje autoriteteve kosovare të përmbahen nga “veprimet e njëanshme” që mund t’i “përshkallëzojnë tensionet” ekzistuese ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit rreth dinarit.

Ministra e Punëve të Jashtme të Francës theksoi në një deklaratë nevojën që Kosova e Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun Kosovë-Serbi për normalizimin e raporteve nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE), ndërsa propozimi i përfaqësuesit të posaçëm, Mirosllav Lajçak, u cilësua nga diplomacia franceze si “bazë realiste” për zgjidhje të krizës së dinarit.

“U bëjmë thirrje autoriteteve kosovare që të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm. Franca inkurajon palët të kthehen në tryezën e negociatave dhe të punojnë në propozimin e e paraqitur nga ndërmjetësi evropian, si e vetmja bazë realiste, për arritjen e një marrëveshjeje që lejon përfituesit të marrin mbështetje financiare nga Serbia”, thuhet në reagim.

Autoritetet e Kosovës i mbyllën gjashtë objekte të “Bankës Kursimore të Postës” në katër komunat me shumicë serbe në veri. E veprimi i fundit i autoriteteve kosovare, në bazë të deklaratës së diplomacisë franceze, minon përpjekjet evropiane për gjetjen e një “zgjidhjeje të përkohshme” për të prekurit nga zbatimit i rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore