Lajme

Franca dhe Gjermania rinovojnë projektin e përbashkët të prodhimit të tankeve


Ministrat gjermanë dhe francezë të mbrojtjes, Boris Pistorius dhe Sebastien Lecornu, thanë të hënën se duan të rinovojnë planet për prodhimin e një tanku të përbashkët luftarak dhe shprehën shpresën se projekti i zhvillimit do të përfundojë deri në fund të vitit.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia britanike “Reuters”.

“Përkundër të gjitha mohimeve dhe thashethemeve, ne duam këtë projekt të përbashkët”, tha Pistorius.

Lecornu deklaroi se ata duan të “dërgojnë një mesazh të qartë, të lënë pas nesh fazën diplomatike të projektit dhe të fillojnë me punë konkrete”, raporton “Reuters”.

Në takimin në Berlin, të dy ministrat bënë një përpjekje të dukshme për të treguar harmoninë pas disa muajsh grindjesh mes vendeve të tyre për çështje të ndryshme.

“Miqësia franko-gjermane është unike. Nuk ka asnjë vend me të cilin jemi më afër në nivele të ndryshme marrëdhëniesh sesa Franca”, tha Pistorius.

“Ekziston një metodë e Pistorius. Ai ka aftësinë të jetë shumë i drejtpërdrejtë, shumë i sinqertë dhe është shenja më e mirë e miqësisë për të ecur përpara dhe ne kemi lënë mënjanë anën diplomatike për t’u fokusuar tek rezultatet”, tha Lecornu.

Në vitin 2017, Franca dhe Gjermania ranë dakord të punojnë në një avion të përbashkët luftarak, i cili vlerësohet të kushtojë rreth 100 miliardë euro në total.

Atëherë u ra dakord që ata të punonin për një tank franko-gjerman që do të pasonte Leopard 2 gjerman dhe Leclerc francez, por projekti u ngadalësua për shkak të tendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve për shkak të mosmarrëveshjeve për çështje të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore