Lajme

Franca dhe Gjermania kërkojnë zgjedhje të reja në Veri


Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, këtë të enjte ka thënë se Gjermania dhe Franca u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në Veri të Kosovës, pas atyre të 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga serbët e katër komunave Veriore – Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut.

“Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Macron, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Ndërkaq, kreu i Francës deklaroi se gjatë javëve të ardhshme do të ketë “vendim të qartë” për situatën në Veri të Kosovës, pas tensioneve të krijuara atje, dhe tregoi se për një gjë të tillë është pajtuar gjatë takimeve që i ka pasur së bashku me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, me liderët e Kosovës dhe Serbisë, respektivisht me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga Kishinau i Moldavisë ka njoftuar se Kosova është e gatshme t’i dëgjojë kërkesat e serbëve lokalë, ndoshta edhe të pajtohet për rizgjedhje në katër komunat veriore – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – pas tensioneve të fundit atje.

Osmani të enjten zhvilloi një takim me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin francez Emmanuel Macron në margjinat e samitit të dytë të Komunitet Politik, ku është diskutuar ekskluzivisht për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës.

“…ka qenë kërkesë e qartë e Gjermanisë dhe Francës që kurdo që organizohen zgjedhjet e reja të ketë participim, që të mos iu ndalohet serbëve që të participojnë. Brenda ligjeve tona, brenda kushtetutës tonë, ekziston mundësia që të ketë zgjedhje të reja”, tha Osmani, porse me kusht që serbët të marrin pjesë.

“Mirëpo është me rëndësi që serbët në veri të marrin pjesë. Participimi në demokraci është parakusht esencial në demokraci. Ata duhet të marrin pjesë dhe t’i zgjedhin kryetarët që ata dëshirojnë. Natyrisht, të sigurohet që të drejtat e tyre zbatohen nëpërjmet përfaqësuesve që ata zgjedhin”, shtoi shefja e shtetit.

Osmani gjithashtu njoftoi se është zhvilluar një takim i përbashkët joformal me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ku ishin të pranishëm presidenti francez, kancelari gjerman dhe kreu i dipomacisë së Bashkimit Evropian Josep Borrell.

“Ishte një takim 10 minutësh, ku edhe  njëherë u konfirmua se Vuçiç nuk është i interesuar për zgjidhje. Unë do të vazhdojë të punoj me aleatët tanë për disa prej çështjeve që ata i propozuan. Vullnetin e kemi të përbashkët”, theksoi Osmani.

Osmani paralajmëron zgjedhje të reja në veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore