Lajme

Franca dënon sulmin ndaj Policisë në Veri: Autorët të dalin para drejtësisë


Presidenti i Francës, Emmanuel Macron

“Franca dënon ashpër sulmin e papranueshëm ndaj Policisë së Kosovës që ndodhi më 24 shtator, duke lënë të vdekur një zyrtar policor dhe dy të tjerë të lënduar”.

Kështu thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës e cila i ka shprehur ngushëllime familjes së togerit të vrarë në Veri të dielën, Afrim Bunjakut dhe ka bërë thirrje që autorët të dalin sa më shpejt para drejtësisë.

Sipas MPJ-së franceze, serioziteti i këtyre ngjarjeve nënvizon urgjencën që Serbia dhe Kosova të tregojnë përgjegjësi për t’i ulur tensionet dhe për t’u ri-angazhuar me mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Është e vetmja mënyrë për të pasur sukses në normalizimin e raporteve mes dy vendeve dhe t’i lejojë të përparojnë drejt BE-së”.

Edhe Sekretari i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), Antony Blinken, nëpërmjet deklarate të lëshuar për media të hënën pasdite, dënoi ashpër “sulmin e koordinuar” në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – ku një grup i armatosur qëlloi me armë zjarri mbi trupat e Policisë së Kosovës, duke shuar jetën e një zyrtari policor.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ashpër sulmet e koordinuara dhe të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës pranë Manastirit të Banjskës më 24 shtator dhe shprehin ngushëllime të thella për familjen e rreshterit të Policisë së Kosovës të vrarë në krye të detyrës. Autorët e këtij krimi duhet të mbajnë përgjegjësi nëpërmjet një procesi hetimor transparent”.

Ndryshe, një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi terrorist nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Derisa pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist dyshohet se janë arratisur duke kaluar në territorin e Serbisë.

Policia e Kosovës është duke vazhduar operacionin edhe gjatë së hënës.

Sipas informacioneve të fundit, Policia ka gjetur prova të reja, pajisje e materiale që janë konfiskuar në orët e fundit nga vendi i ngjarjes në të cilin për orë të tëra gjatë ditës së djeshme pati shkëmbime me armë zjarri.

Ndërsa Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se disa nga terroristët u larguan në këmbë nga Manastiri i Banjskës të dielën.

“Personat tjerë të dyshuar, që bazuar në pamjet e siguruara mund të ishin rreth 30 persona, kanë arritur që të largoheshin në këmbë nga hapësirat brenda dhe përreth Manastirit të Banjskës, duke lënë prapa automjetet e tyre, që gjatë ekzaminimit në vendin e ngjarjes rezulton të jenë 24 automjete, një mjet i blinduar si dhe dy motorë me katër rrota”, tha ai gjatë një konference për media.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore