Kosova

Franca dënon me terme të ashpra Kosovën për situatën e krijuar në Veri: Përmbahuni nga veprimet e njëanshme


Ilustrim

Ministria e Punëve të Jashtme të Francës, nëpërmjet një komunikate për media, ka dënuar me terma të ashpra situatën e krijuar në Veri të Kosovës javëve të fundit – mbyllja e degëve postare të Serbisë në Veri dhe paralajmërimi i autoriteteve kosovare për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve.

“Këto situata ndikojnë në jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë”, thuhet në komunikatën për media e lëshuar nga MPJ-ja franceze.

Përveç kësaj, situata e krijuar në Veri, sipas komunikatës, rrezikon edhe përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbisë.

“Franca u bën thirrje autoriteteve kosovare që të përmbahen nga çdo veprim i ri i njëanshëm, i cili do të kontribuonte më tej në përshkallëzimin e tensioneve. Ai inkurajon të dyja palët të kthehen në tryezën e bisedimeve, nën kujdesin e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të përparojnë në zbatimin e marrëveshjes Bruksel-Ohër”.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), Matthew Miller, në një konferencë për shtyp të mërkurën, ka deklaruar se administrata amerikane është e shqetësuar për “veprimet e pakoordinuara” të Qeverisë së Kosovës, duke vlerësuar ndër të tjera se “veprimet e pakoordinuara” rrezikojnë mbështetjen amerikane për rrugën euroatlantike të Kosovës.

“Jemi të shqetësuar për vazhdimësinë e vendimeve të pakoordinuara nga lidershipi i Kosovës. Ne besojmë se ata i vënë në rrezik mundësitë të cilat ne kemi ndihmuar Kosovën t’i krijojë – që nga shpallja e pavarësisë, ne kemi mbështetur integrimin e plotë të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare si një demokraci sovrane dhe multietnike”, ka thënë zëdhënësi i DASH-it.

“Por për të realizuar këtë vizion, ne kemi bashkëpunuar me udhëheqësit e njëpasnjëshëm të Kosovës rreth masave për të fuqizuar paqen dhe prosperitetin në vend, duke avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”, ka shtuar ndër të tjera Miller, kur u pyet nëse duhet të ketë pasoja për Kosovën pas mbylljes së objekteve të Postës së Serbisë në veri të vendit ditë më parë.

Autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se mbyllja e nëntë degëve të Postës së Serbisë në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok – është bërë për shkak se ato kanë qenë duke funksionuar pa licencë brenda territorit të Kosovës, pra rrjedhimisht nuk kanë qenë të regjistruara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK).

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të martën, ka theksuar se mbyllja e degëve të postës serbe, përkatësisht “veprimet e pakoordinuara” në veri, përveçse se kundër frymëse së marrëveshjeve të dialogut Kosovë-Serbi, rrezikojnë ta lënë të bllokuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

“Hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar jo vetëm që bien ndesh me marrëveshjet e dialogut, por – edhe më keq – rrezikojnë që aplikimi për anëtarësim në BE të mbetet i bllokuar në inbox. BE-ja lulëzon duke mbledhur rreth vetes të gjitha shtetet anëtare dhe komunitetet e tyre dhe neve na duhet qasje e njëjtë në nivel kombëtar”, ka paralajmëruar ambasadori gjerman.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore