Lajme

Fotografitë plot gjallëri të Afrikës së viteve ‘60 dhe ‘70


Kur Sanlé Sory u fotografua për kartën e tij të identitetit në vitin 1957, u befasua kur zbuloi se sa shtrenjtë ishte të fotografoheshe.

Nga kjo, mendoi të niste biznesin e tij.

“I pagova rreth 32 paund dhe një shishe uiski për një fotografi Kojo Adamako për t’u bërë nxënësi i tij për rreth dy vjet”, ka treguar fotografi Burkinabe Sory.

Për të, ky ishte fillimi i një karriere të re, pikërisht kur vendi do të bëhej i pavarur.

Nga mesi i viteve 1960, Sory kishte hapur Volts Photo, një studio fotografie në Bobo-Dioulasso, qyteti i dytë më i madh në Burkina Faso.

Në fillim të karrierës së tij, në vitin 1960, 17 kombe afrikane ishin bërë të pavarura.

Në vitet që pasuan, studiot fotografike u ngritën në të gjithë kontinentin, duke dokumentuar si parazgjedhje se si secili vend përqafoi çlirimin e sapogjetur.

“Asokohe kishte një ndjenjë të plotë lirie dhe shumica e njerëzve e shikonin me përçmim të kaluarën koloniale të vendit të tyre. Ata donin të ishin vetvetja”, ka treguar Sory.

Puna e tij gjendet në Africa Fashion, një ekspozitë në Muzeun Victoria dhe Albert të Londrës.

Shfaqja eksploron modën në të gjithë Afrikën nga mesi i shekullit të XX-të e deri më tani, duke parë fotografinë, tekstilet, muzikën dhe artet pamore.

Por nuk ka të bëjë vetëm me stilin.

“Qëllimi ynë, përmes ekspozitës, është të përdorim modën si një katalizator për t’i dhënë audiencës një paraqitje të shkurtër të morisë së kulturave dhe historive në kontinent”, ka thënë kuratorja Christine Checinska.

Ekspozita nis me epokën e pavarësisë në Afrikë dhe i çon shikuesit në një udhëtim prej andej e deri më sot.

“Nisim në epokën e pavarësisë sepse, për shumë, ajo mishëron krenarinë e të qenit me ngjyrë dhe afrikanë”, ka treguar Checinska.

Periudha e dekolonizimit ndezi një ndjenjë të re te artistët e shumë vendeve anembanë Afrikës.

Ishte një kohë e rilindjes kulturore afrikane, me shumë njerëz që përdornin mediumin e tyre për të eksploruar marrëdhëniet e tyre me vendin.

“Natyrisht, njerëzit po përqafonin mundësinë për të formuar identitetin e tyre. Ata ndjenin lirinë për t’u shprehur pa qenë nën syrin e kolonializmit”, ka thënë pronari i një galerie David Hill.

Fotografia në studio nuk ishte e re, por proceset më të lira të zhvillimit, së bashku me bollëkun e studiove të reja, i lejuan njerëzit të regjistronin dhe festonin arritje të vogla në jetën e tyre.

Kishte nevojë që njerëzit të kishin fotografi të tyre për t’ua dhënë miqve dhe familjes, sipas Hill.

Në fotografitë e Sory-t, klientët shpesh pozonin përpara sfondeve të pikturuara plot gjallëri, duke përshkruar një plazh, një aeroplan, shpesh duke mbajtur rekuizita të ndryshme për të plotësuar skenën.

Shumë fotografë të kohës e panë praktikën e tyre si një tregti dhe jo një formë arti, shpesh ishin të pavëmendshëm ndaj asaj që po ndodhte në mediumin jashtë komunitetit të tyre të afërt.

“Nuk kam qenë në dijeni të ndonjë fotografi tjetër në atë kohë. Unë thjesht e pashë fotografinë si një mënyrë për të fituar para dhe për të filluar një karrierë”, ka treguar Sory.

Pjesa më e madhe e punës së tij tani duket si fotografia e modës, megjithëse nuk ishte menduar kurrë si e tillë.

Përtej fotografisë në studio, pavarësia ndikoi në shumë aspekte të sferës kulturore në të gjithë Afrikën.

Në vitin 1966, presidenti senegalez Leopold Senghor mbajti Festivalin e Parë Botëror të Arteve (FESMAN) në Dakar, ngjarja e parë moderne që feston kulturën globale të njerëzve me ngjyrë.

Ishte një mundësi për të përkujtuar artet në kombet afrikane që sapo kishin shpallur pavarësinë dhe përfshinte më shumë se dy mijë shkrimtarë, artistë dhe muzikantë nga e gjithë Afrika dhe diaspora afrikane.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore