Lajme

Fotografia që rikujton 70-vjetorin e Konventës së Kombeve të Bashkuara për refugjatët


Përmes një fotografie, refugjatë nga shtatë breza janë bashkuar për të rikrijuar fotografinë e vjetër të nënshkrimit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për refugjatët, duke shënuar edhe 70 vjetorin e marrëveshjes.

Agjencia e lajmeve, “The Guardian”, tregon se ky takim feston dekadat e dhënies së mbrojtjes dhe sigurisë nga Mbretëria e Bashkuar për njerëzit që ikën nga vendet e tyre në shpëtim të jetës, por gjithashtu paralajmëron se detyra e kombit ndaj refugjatëve duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.

E krijuar nga fushata e koalicionit “Së bashku me Refugjatët”, fotoja bashkon refugjatë të ardhur nga një sërë konfliktesh, duke përfshirë kryengritjen hungareze, aziatikët Ugandë që u larguan nga regjimi i Idi Amin-it dhe spastrimin etnik të luftës në Ballkan.

Në vend të dokumentit të Kombeve të Bashkuara, ata nënshkruan një zemër portokalli, e cila është simbol për mbështetjen e refugjatëve.

Konventa e Kombeve të Bashkuara e vitit 1951 për refugjatët, zyrtarizoi të drejtat e refugjatëve sipas ligjit ndërkombëtar çka do të thotë se vendet e regjistruara në të kanë një detyrë ligjore për të mbrojtur ata që ikin nga persekutimi në vendet e tjera.

“The Guardian” tregon se këtë ligj e kanë nënshkruar në total 149 vende, duke përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar.

72-vjeçari, George Szirtes, i cili ishte pjesë e fotografisë, është një shkrimtar i suksesshëm, i cili mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar si refugjat në vitin 1956, pasi kishte ikur nga Hungaria.

Ai është shprehur se “dhënia e sigurisë për njerëzit që ikin nga lufta dhe persekutimi ishte e nevojshme 70 vjet më parë dhe unë dyshoj se është më e nevojshme tani se kurrë më parë”.

Të tjerë refugjatë që janë pjesë e fotografisë përfshijnë autoren dhe dramaturgen 69-vjeçare, Gillian Slovo, e cila arriti në Mbretërinë e Bashkuar nga Afrika e Jugut në vitin 1964 me nënën dhe dy motrat e saj. Prindërit e saj ishin të dy aktivë në kundërshtim me regjimin e aparteidit.

Edhe Hong Dam, artiste dhe shkrimtare digjitale e lindur nga një baba kinez dhe një nënë vietnameze, iku me familjen e saj kur shpërtheu lufta midis Vietnamit dhe Kinës. Asokohe, ajo ishte vetëm tetë vjeçe.

50-vjeçari, Aloysius Ssali, u kap dhe u torturua në Uganda për shkak të seksualitetit të tij. Deri në vitin 2010 kur ai u bë një nga njerëzit e parë që iu dha mbrojtja e refugjatit në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor, vendi nuk e njihte zyrtarisht seksualitetin si një arsye për të kërkuar statusin e refugjatit.

“Duke festuar 70 vjet të konventës, veçanërisht për dikë si unë, një refugjat në këtë vend të mrekullueshëm, nuk e marr si të mirëqenë. Unë jam ai që jam tani për shkak të britanikëve, ata më dhanë statusin e refugjatit dhe më dhanë një mundësi tjetër për të jetuar”, ka thënë ai.

Ndërkohë, refugjati sirian, doktor Saad Maida, është një mjek që punon në sistemin shëndetësor britanik. Ai arriti në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2010 për të studiuar dhe iu dha statusi i refugjatit në vitin 2014.

Ai ka thënë se “Konventa e Kombeve të Bashkuara ka pasur një ndikim të madh tek unë. Ajo u ka dhënë refugjatëve lirinë dhe pranimin që ne kemi të drejta. Ndiej mirënjohje të jashtëzakonshme dhe shpresoj disi ta shpërblej atë”.

Një zëdhënës i “Së bashku me Refugjatët” dhe shef ekzekutiv i Këshillit të Refugjatëve, Enver Solomon, ka treguar se “70 vjet më parë, pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore, Mbretëria e Bashkuar nënshkroi Konventën e Refugjatëve”.

Gjithashtu ka shtuar se “ne dhamë angazhimin tonë për të mbrojtur njerëzit që ikin nga lufta dhe persekutimi. Që atëherë, ajo ka shpëtuar qindra mijëra jetë. Këta janë njerëz që kanë vazhduar të japin kontribute të mëdha për komunitetet tona si britanikë krenarë. Dhe ne duhet të vazhdojmë ta ruajmë këtë premtim të sigurisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore