Lajme

Ford: Prodhimi evropian po goditet nga mungesa globale e çipave


Kompania Ford ka zbuluar se prodhimi dhe porositë e automjeteve në Evropë janë goditur nga mungesa globale e gjysmëpërçuesve.

Po ashtu, edhe nga konflikti në Ukrainë.

Ford-i ka njoftuar se fabrikat e veta gjermane në Saarlouis dhe Këln do të pezullohen, kryesisht për shkak të mungesës globale të çipave.

Do të ndalojë po ashtu marrjen e porosive të reja për automjetet S-Max dhe Galaxy të ndërtuara në Valencia, Spanjë.

Sipas vetë kompanisë, ka porosi për të dyja produktet dhe porositë ekzistuese do të përmbushen.

Pushtimi rus i Ukrainës ka shkaktuar mungesë të pjesëve edhe në një fabrikë Volkswagen në Poloni, që ndërton automjetin Tourneo Connect të Ford-it.

Kjo ka çuar në një ndërprerje të përkohshme të prodhimit.

“Vijojmë të monitorojmë situatën në baza ditore në bashkëpunim me partnerët në VW dhe do të kemi më shumë për të thënë për këtë në një datë të mëvonshme”, ka deklaruar Ford-i.

Ama problemet nuk mbyllen këtu. Konflikti ka sjellë edhe probleme të furnizimit që e kanë detyruar Ford-in t’u ofrojë konsumatorëve makinën Focus me një ekran më të vogël, 8 inç, në vend të ekranit SYNC4 13,2 inç që ishte pjesë e prezantimit të automjetit të përditësuar.

Sakaq, furnizimi me ekranin më të madh po zhvendoset në një vend të ri në Evropë, por deri atëherë do të jetë i disponueshëm vetëm ekrani më i vogël.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore