Lajme

Forcat etnike-armene pajtohen për armëpushim me Azerbajxhanin


Njëzet e katër orë pasi ushtria e Azerbajxhanit nisi një ofensivë në Nagorno-Karabakh, forcat etnike-armene kanë rënë dakord për një armëpushim.

Kështu bën të ditur multimediali britanik “BBC”.

Një nga kërkesat kryesore që forcat e Karabakh-ut kanë pranuar është propozimi për çarmatim të plotë.

Rreth 120 mijë armenë etnikë jetojnë në enklavën e Kaukazit Jugor, e njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit.

Tre vjet më parë, Azerbajxhani rimori zonat në Karabakh dhe rreth tij si dhe të martën kërkoi një dorëzim të plotë.

Forcat separatiste armene në Karabakh thanë se Azerbajxhani kishte thyer linjat e tyre dhe kishte kapur një numër lartësish dhe kryqëzimesh strategjike rrugore.

E vetëquajtur “Republika e Artsakhut” tha se në rrethana të tilla, nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të pushonte armiqësitë nga ora 13:00 (koha lokale) të së mërkurës.

“Autoritetet e Republikës së Artsakhut pranojnë propozimin e komandës së kontingjentit paqeruajtës rus për të pushuar zjarrin”, thuhet në njoftim. “Me ndërmjetësimin e komandës së kontingjentit paqeruajtës rus të vendosur në Nagorno-Karabakh, u arrit një marrëveshje për ndërprerjen e plotë të armiqësive nga ora 13:00 e datës 20 shtator 2023″.

Azerbajxhani filloi operacionin e tij kundër Nagorno-Karabakh’ut të martën pasi disa nga trupat e tij u vranë në, siç tha Baku, sulme nga rajoni malor, të cilin Azerbajxhani e kishte bllokuar për nëntë muaj.

Azerbajxhani nis operacionet “anti-terroriste” në Nagorno-Karabakh

Nagorno-Karabakh: Konflikti ende i pazgjidhur

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore