Lajme

FMN mbështet Georgieva-n si drejtoreshë menaxhuese


Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndёrkombёtar (FMN) ka zgjedhur të mbajë Kristalina Georgieva si drejtoreshë menaxhuese tё institucionit, me arsyetimin se ka “besim të plotë” tek aftësitë e saj.

Kohёt e fundit, ajo ёshtё akuzuar pёr presion ndaj stafit të Bankës Botërore, se ka manipuluar të dhënat nё favor tё Kinës, kur ishte nё pozicionin e shefes ekzekutive.

Njoftimi pasoi takimet maratonë të bordit të FMN-së, i cili u përpoq gjatë disa ditëve për të arritur një marrëveshje mbi fatin e Georgieva-s, pasi u shfaqën ndarje të mprehta midis 24 drejtuesve të tij.

Franca, Gjermania, Italia dhe Britania e Madhe u rreshtuan së bashku me Kinën dhe Rusinë nё mbrojtje tё saj, ndërsa dy nga aksionerët më të mëdhenj të fondit, SHBA-ja dhe Japonia, ishin më rezistentë dhe bënë thirrje për një rishikim të fortë.

Megjithatё konsensusi që Georgieva të mbajë mandatin e saj doli të hënën, pas diskutimeve të mëtejshme.

Në një deklaratë të lëshuar të hënën mbrëma, bordi i FMN-së tha se provat e paraqitura “nuk demonstruan përfundimisht” se Georgieva veproi nё mёnyrё “të pahijshme” në renditjen e Kinës,  ndërsa ishte në Bankën Botërore.

Georgieva ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo akuzё.

Ajo nuk pranoi se ka rritur artificialisht vendosjen e Kinës, në edicionin e vitit 2018 të raportit vjetor të Bankës Botërore, të ndjekur gjerësisht nga Doing Business, gjatë kohës së saj në krye të institucionit.

Vendimi vjen në fillim të takimeve vjetore të FMN-së me Bankën Botërore, të cilat filluan këtë javë nën një re pasigurie pёr qёndrimin e Georgieva-s.

Ajo mori pjesë të hënën, në ngjarje të shumta dhe është planifikuar të flasë nё disa të tjera në ditët e ardhshme.

Të hënën, Janet Yellen, sekretarja e Thesarit e SHBA, telefonoi Georgieva për t’i komunikuar se, ndërsa raporti i Bankës Botërore “ngriti çështje dhe shqetësime legjitime”, SHBA-tё ravijёzuan se “mungojnë prova të tjera të drejtpërdrejta”.

Megjithatё, Yellen e njoftoi Georgieva-n, duke i thënë shefit të FMN-së se Thesari do të “monitorojë nga afër ndjekjen, duke vlerësuar çdo fakt apo zbulim të ri”.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, është zotuar gjithashtu se do tё bёjё presion për ndryshime në FMN dhe Bankën Botërore për të parandaluar raste të tjera të manipulimit të mundshëm.

Vendimi i administratës Biden për të mos rrëzuar Georgieva-n shkaktoi një reagim të menjëhershëm nga republikanët në Kongres.

“Ky vendim pasqyron tmerrësisht udhëheqjen amerikane në FMN”, tha Patrick McHenry, republikani më i lartë në komitetin e shërbimeve financiare të Dhomës.

“Republikanët dhe Demokratët në Kongres u alarmuan nga hetimi mbi veprimet e zonjës Georgieva. Ёshtё tronditëse që administrata i kaloi këto shqetësime dhe iu nënshtrua presionit tё vendeve tё tjera që duan të mbulojnё skandalin”, shtoi ai.

Në një deklaratë të hënën, Georgieva shprehu mbështetje të paepur për pavarësinë dhe integritetin e Bankës Botërore dhe FMN-së.

“Jam i kënaqur që pas një rishikimi gjithëpërfshirës, ​​të paanshëm të fakteve, Bordi i FMN -së pajtohet se akuzat ishin të pabaza. Unë dua të falënderoj bordin për shprehjen e besimit të tij të plotë në udhëheqjen time”, tha ajo.

Qeveritë evropiane zgjodhën Georgieva, për t’u bashkuar me FMN-në në vitin 2019, pas një periudhe dyvjeçare në drejtimin e Bankës Botërore, në të cilin ajo u bashkua në vitin 1993 si ekonomiste e çёshtjeve mjedisore dhe u largua në vitin 2010 për të punuar në Komisionin Evropian, para se të ribashkohej me Bankën Botërore në 2017.

Ajo zëvendësoi Christine Lagarde, e cila tani shërben si presidente e Bankës Qendrore Evropiane, dhe emërimi i saj kërkoi që FMN të heqë kufirin e moshës të përcaktuar në aktet nënligjore të fondit për këtë pozicion.

Gjatë gjithë qëndrimit të saj, ajo ka fituar lavdërime për përpjekjet e saj për të ndihmuar ekonomitë në zhvillim pёr të përballuar pandeminë e coronavirus-it, duke kryesuar ndarjen e 650 miliardë dollarëve paketa ndihme pёr ato.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore