Lajme

FMN-ja parashikon një vit të vështirë për ekonominë globale


Drejtoresha Menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, deklaroi se viti 2023 do të jetë një tjetër vit sfidues, me ngadalësimin e rritjes globale nën 3 për qind për shkak të efekteve të pandemisë, luftës në Ukrainë dhe politikës monetare shtrënguese.

Ajo e tha këtë gjatë një fjalimi në Forumin e Zhvillimit të Kinës.

Georgieva theksoi se edhe me një parashikim më të mirë për vitin 2024, rritja globale do të mbetet shumë nën mesataren historike prej 3.8 për qind.

“Pasiguritë janë jashtëzakonisht të larta, duke përfshirë rreziqet e fragmentimit gjeo-ekonomik, që mund të nënkuptojë ndarjen e botës në blloqe konkurruese ekonomike – një ‘ndarje e rrezikshme’ që do t’i bëjë të gjithë më të varfër dhe më pak të mbrojtur”, tha menaxherja e FMN-së.

Georgieva veçoi ekonominë e Kinës.

Në parashikimin e saj të janarit, FMN-ja parashikon rritje të PBB-së prej 5.2 për qind këtë vit – një rritje e konsiderueshme prej më shumë se 2 pikë përqindjeje në krahasim me vitin 2022.

“Rimëkëmbja e fortë do të thotë që Kina do të përbëjë rreth një të tretën e rritjes globale në vitin 2023, duke ofruar një nxitje të shumëpritur për ekonominë globale. Krahas kontributit të drejtpërdrejtë në rritjen globale, analiza jonë tregon se një rritje prej 1 pikë përqindjeje në rritjen e PBB-së së Kinës çon në një rritje mesatare prej 0.3 pikë përqindjeje në rritjen e ekonomive të tjera aziatike, që është një stimul pozitiv”, shtoi Georgieva.

Studimi i FMN-së tregon gjithashtu se reformat e Kinës për rritjen e produktivitetit mund të rrisin PBB-në reale me 2.5 për qind deri në vitin 2027 dhe me rreth 18 për qind deri në vitin 2037 – rritje që do të ishte më cilësore dhe më gjithëpërfshirëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore