Shqipëria

Fjalor fyes dhe degradim, korniza e sotme mediatike


Është e vërtetë që një imazh mund të vlejë më shumë se mijëra fjalë.

Por, më se e vërtetë, është edhe që miliona imazhe s’të japin sikur një koncept të vetëm.

Se të vështruarit nuk është njohje. Se njohja e thellë shkon përtej të dukshmes.

Të paktën kështu i ka nxjerrë përfundimet e veta në faqet e parafundit të librit me titull “Homo videns”, Giovanni Sartori.

Kishte disa vite që qëndronte tok me titujt e tjerë të autorëve që janë përpjekur ta zhbirojnë imazhin e bashkë me të televizionin.

U desh bashkëbisedimi me Haris Vonglin, studiuesen e shkencave politike dhe komunikimit, për t’ju rikthyer atyre çka ka lënë sociologu, i cili ka shpjeguar ndërlidhjen e njeriut me median.

Për rrjedhojë, edhe transformimin e qenies njerëzore, që nga vitet ‘50, me ardhjen e televizionit, mediumit me ndikim të madh në shoqëri, ku evolucioni njerëzor ka bërë hapa pas.

Sartori thekson se nga homosapiens, jemi shndërruar në homovidens, pra jemi çka shohim.

Sepse, nga vitet ’50 e këtej, jemi përballur me uljen e të menduarit, analizës kritike dhe analizë-sintezës.

Sepse na është bërë e na bëhet vazhdimisht një shpëlarje e trurit me gjithçka lexojmë e shohim në lloj-soj mediash, portalesh a rrjetesh sociale.

Dhe mes tyre, fjalori i përdorur lë shumë për të… lë shumë pyetje pa përgjigje.

Vongli tregon për Albanian Post se flitet shpesh për të drejtën e fjalës, për lirinë e fjalës, për lirinë e medias.

Po sa larg shkon kjo liri? Pse me kohën ka degradim të fjalorit?

“Dhe më e keqja akoma, ky fjalor dëgjohet dhe ndiqet, nuk dënohet duke sabotuar dhe protestuar kundër mediumeve që jo vetëm e shfaqin një emision të caktuar, por e reklamojnë atë”, shton ajo.

Për të, kjo është tejet shqetësuese, pasi shembujt që jepen, shkojnë drejt vulgares.

“Emisione si Përputhen, Love Story, Big Brother, Shihemi në Gjyq… kanë një nivel tejet të ulët, gati-gati intimidues dhe aspak edukativ. Çka është shqetësuese”, thotë studiuesja.

Pastaj, në tablonë e plotë, veç fjalorit vulgar qëndrojnë edhe mesazhet që jepen në emisione të tilla televizive.

“Nuk dua të merrem shumë me moralin këtu, apo shembujt dhe idhujt që po krijojnë të rinjtë sot, adoleshentët. Por duke paralelizuar, se kohë më parë, idhujt e mi ishin Meryl Streep, The Beatles, apo edhe Michael Jackson”, tregon Vongli.

“Sot, cilët janë idhujt për të rinjtë tanë? Yjet e Përputhen që ndiqen nga pas për autografe në baret e ish-Bllokut?”, pyet ajo.

Sipas saj, fjalori fyes që ndeshet rëndom në emisionet televizive është pasqyrë e degjenerimit intelektual të krahasuar shpesh herë me atë të vendeve të treta.

Ofendimet, thashethemet e deri te përleshjet fizike, kjo është “korniza e sotme mediatike”, e cila shërben si nxitëse e këtyre veprimeve për të arritur “famëkeqen audiencë”.

Një nga faktorët që ka sjellë situatën deri në këtë pikë, për Vonglin, është zbrazja nga profesionistët.

“Emisionet televizive janë zbrazur nga intelektualët, profesionistët, oratorët, vlerat, shifrat, statistikat… për t’u mbushur me thashetheme, vrer, tallje, epitete e tematika të pavlera”, dallon ajo.

Dhe duket se kjo s’ka fund, “thellohet”.

Prandaj, nganjëherë, asaj i duhet që, me keqardhje, ta fikë televizorin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore