Libra

Fiziokratët francezë


Fiziokratët francezë

Në fjalorin e shkencave sociale, ekonomia kryesisht përkufizohet si studimi ose shkenca se si njerëzit i përdorin ose i bëjnë të përdorshme resurset prodhuese, natyrore ose njerëzore, për të prodhuar të mirat materiale, për të ofruar shërbime për përdorim njerëzor.

Çështje ose problematika ekonomike janë ngritur qysh në antikitet, por studimi sistematik i tyre nuk daton më shumë se 300 vjet.

Adam Smith konsiderohet si themeluesi i ekonomisë si shkencë me veprën dhe studimin e tij të famshëm “Pasuria e Kombeve”, megjithatë, edhe kjo vepër nuk është e paprecedentë.

Një grup mendimtarësh dhe studiuesish francezë, në oborrin mbretëror të Lluit të XV-të, të quajtur “Fiziokratët”, ishin të parët që provuan të ndërtojnë një model sistematik dhe gjithëpërfshirës të proceseve ekonomike.

Në kohën e fiziokratëve francezë, ekonomia ishte kryekëput aktivitet i rregulluar nga rendi i hekurt administrativ mbretëror. Dhe, merita më e madhe e tyre është se ata ndërmorën një studim abstrakt të “ligjeve” të ekonomisë, sikurse të ishin “ligje” të fizikës. Rrjedhimisht, edhe emri “fizio-kraci”.

Megjithëse suksesi i tyre është i limituar, marrë parasysh rrethanat dhe historinë, ata iniciuan shkencën që ne sot e quajmë “Ekonomi”. Ata e shihnin ekonominë e tregut qysh në atë kohë si një sistem shkëmbimi vullnetar midis individëve tregtues, si një mekanizëm vetë-koordinues dhe vetë-rregullues lënë në tregtimin e lirë të njerëzve.

Mekanizmat e tregut të lirë, karakteristikat, kushtet, efektet dhe defektet, të përpiluara në modele abstrakte, teorike, dhe spekulative, që Adam Smith i konkretizon në modelin e tij të parë shkencor, gjejnë burimin pikërisht në shkrimet e fiziokratëve.

Më eminenti ndër shkollën fiziokratike ishte François Quesnay, dhe nxënësi i tij Victor Riqueti. Që të dy këta mendimtarë doktrinën e tyre e derivuan nga ideja se Toka (resurset natyrore) e jo Puna (resurset njerëzore) ishin burimi i vërtetë i pasurisë.

Thomas Jefferson, autori i parë i Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së, si dhe president i SHBA-së, modelin e politikave agrare që e implementoi, e kishte bazuar në shkrimet e fiziokratëve, të cilët i njihte dhe kishte korrespodencë të vazhdueshme gjatë kohës kur shërbente si ministër në Francë.

Ata e definonin misionin e tyre si fizikanë që gjejnë ligjet “fizike” të ekonomisë, në mënyrë që pastaj të bëhen inxhinierë, që mbi ato ligje të ndërtojnë sisteme funksionale dhe prodhuese ekonomike.

Ideja e tyre ishte se të mirat materiale dhe shërbimet nuk prodhohen në rend të parë për përdorim të menjëhershëm nga prodhuesit, por që të shiten. Ekonomia duhet të shihet pikë së pari nga këndvështrimi i tregut, si një sistem transaksional parash.

Përmes këtyre transaksioneve, këtyre marrjeve dhe dhënieve, njerëzit krijojnë të hyra përmes shitjes së produkteve të tyre, dhe më këto të hyra blejnë të mira materiale të prodhuara nga prodhues të tjerë, të cilët vepron njëjtë në këtë skemë, dhe qarkullimi krijon një sistem të qëndrueshëm dhe efiçient ekonomik.

Në këtë mënyrë, sistemi ekonomik përkthehet në një sistem të aktivitetit prodhues dhe shkëmbimeve tregtare dhe i tërë procesi i tregut është një rrjedhë e lirë në qarkullimin e të hyrave dhe shpenzimeve.

Idetë e fiziokratëve mbetën nën hijen e veprës kanonike të Smith-it, deri në shekullin e XIX-të, kur Karl Marksi i nxori nga arkivat e historisë dhe i konkretizoi më tej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore