Shqipëria

Fituesi i maratonës së parë moderne me fustanellë shqiptare


Spyridon Louis me fustanellë

Ndoshta shumë pak njerëz e kujtojnë atë në kohët e sotme, por emri i tij është i gdhendur në historinë e lojërave olimpike si personi i parë që ka fituar maratonën në lojërat olimpike verore moderne, të vitit 1896, të mbajtura në Athinë, si shenjë e rikthimit të lavdisë sportive që prej Greqisë së Lashtë.

Ishte legjenda e Pheidippides-it, ajo e cila nxiti Michel Breal-in të konceptonte e më pas të ngjizte idenë e maratonës moderne si sport olimpik. Madje, si disiplina kult e pesë rrathëve.

Emri i cili atashohet si fitues i parë i 42 kilometrave të famshëm, është ai i Spyridon Louis, një person tërësisht i panjohur deri në atë kohë, i cili shpërndatë ujë deri në atë ditë kur mori lavdinë.

Spyridon Louis me fustanellë

Mes rrugëve të pluhurosura të Athinës, Louis i mposhti të gjithë atletët e njohur, duke e mbyllur garën në kohën 2 orë e 58 minuta e 50 sekonda.

Me kohët që janë arritur sot si rekord botëror, në vetëm 2 orë e 1 minutë e 39 sekonda, Louis nuk do të ishte renditur as në gjirin e atletëve më të mirë. Por në kushtet e kohës, ai u kthye në një ikonë të vërtetë.

Britmat “Hellene, Hellene!”, dëgjoheshin kudo nëpër Athinë, kur u mor vesh se personi, i cili po udhëhiqte garën, ishte pikërisht Spyridoni.

Me të mbërritur pranë finishit, ai u prit me britma e duartrokitje edhe nga dy princat e Greqisë, Konstandini dhe George.

Nuk mbeti njeri pa e përgëzuar Lousin për arritjen e madhe.

Dhuratat e mbushën menjëherë atë, që prej florinjve të shumtë, e deri tek premtimet se do të mund të qethej e rruhej falas tek kushdo berber që të kishte dëshirë.

Mirëpo Luousi mbeti njeri i thjeshtë deri në fund të jetës, si punëtor që kishte qenë dhe fotografitë e tij sot, janë tërësisht të paimagjinueshme, pasi në to, ai shfaqet i veshur me një aksesor tipik shqiptar – fustanellën.

“Fundi” tradicional shqiptar në zonat e Toskërisë, u prezantua për të parën herë në zonat veriore të Greqisë nga shqiptarët që emigruan atje, siç dokumentohet shpesh në librat historikë.

Spyridon Louis me fustanellë

Me migrimin e akoma më shumë shqiptarëve drejt Greqisë, për sa kohë Shqipëria ishte ende nën uzurpimin osman, fustanella filloi të kthehej në një ikonë të veshjeve kulturore greke, pasi u pëlqye shumë.

Madje, aq shumë, sa që grekët filluan të krijonin dizajnet e tyre me motive popullore helenase, duke e bërë më pas të vështirë të dallohej fustanella shqiptare nga ajo që grekët kishin realizuar.

Mirëpo, sa i përket fituesit të parë të maratonës, asnjë dyshim nuk ka, pasi në ato vite, ende në Greqi nuk ishte prezantuar tërësisht koncepti i fustanellës, ndaj mund të thuhet se kampioni po vesh atë me motive arvanitase.

Si të thuash, një copëz Shqipërie edhe në historinë e fitores së parë maratonomake helenike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore