Lajme

Fitore historike e Biden, Senati kalon paketën 1.2 trilionë dollarë


Muaj të tërë negociatash midis demokratëve dhe republikanëve në SHBA, çuan në finalizimin e një pakete, ndër më të mëdhatë në historinë e Amerikës, prej 1.2 trilionë dollarësh, në formën e ligjit të pagëzuar si “Paketa e Insfrastrukturës dhe Punës”.

Ishin 19 senatorë republikanë, të cilët e votuan në dhomën 100 vendëshe të ligjvënësve amerikanë. Kështu, paketa u kalua në mënyrë bipartizane, duke i sjellë mbi të gjitha një fitore të madhe presidentit Joe Biden.

Ajo që ka mbetur tashmë, është firma presidenciale e Biden-it.

Ky ligj përfshin ndihmën në disa sektorë, për rimëkëmbjen pas-pandemike.

Nga shuma, 550 miliardë dollarë, do të shkojnë në shpenzime federale, përgjatë pesë viteve të ardhshme. Buxheti për investimin në sistemin rrugor, do të jetë prej 110 miliardësh. 66 miliardë shkojnë për sistemin hekurudhor, 65 për qasjen në internet, po aq për sistemin elektrik.

Më pak, përkatësisht 39 miliardë dollarë, do të shkojnë për sistemin e tranzitit. Ndërsa, 7.5 miliardë, për të ndërtuar një rrjet kombëtar për ndërtimin e strukturave të posaçme për karikimin e makinave elektrike.

Prioritet tjetër do të jetë ai i ujit, me 55 miliardë që shkojnë për infrastrukturën ujore dhe 15 të tjera shtesë për tubacionet.

Legjislacioni do të sjellë në epokën moderne, një sistem të vjetruar amerikan të infrastrukturës.

Prej vitesh është menduar një ligj i tillë me një paketë kaq të gjerë. Gjithsesi, nuk është arritur dot asnjëherë hapi vendimtar.

Por, me këmbënguljen e presidentit Biden, gjithçka u bë tashmë e mundur.

Merita e Biden qëndron edhe në faktin se ka arritur të bashkojë të dyja palët në bisedime. Kështu, duke i përfshirë në mënyrë direkte republikanët në proces dhe duke i dhënë zë shqetësimeve të tyre.

Me firmën e presidentit, një revolucion infrastrukturor pritet të ndodhë në SHBA tashmë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore