Pajisje

Fitimet e kompanive teknologjike rriten teksa pandemia vijon


Teksa konsumatorët kanë azhurnuar pajisjet e tyre dhe kanë kërkuar ruajtje cloud gjatë bllokimeve të pandemisë, kompanitë e teknologjisë kanë raportuar fitime në rritje.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se fitimet e Apple-it thuajse janë dyfishuar në 21.7 miliardë dollarë në tre muajt e fundit deri në 30 qershor kur klientët blinin telefona iPhone me çmime më të larta.

Edhe Microsoft-i ka pasur një fitim prej 16.5 miliardë dollarësh në të njëjtën kohë, me një rritje prej 47 për qind nga viti në vit, për shkak të kërkesës për shërbime cloud dhe lojëra.

Nga ana tjetër, kompania mëmë e Google-it, Alphabet-i, ka raportuar gjithashtu se shitjet dhe fitimet tremujore ishin rritur duke shënuar rekorde të larta.

Kjo, kryesisht për shkak të një rritje të shpenzimeve për reklamat në internet që synojnë klientët, të cilët ishin bllokuar në shtëpi dhe blinin në internet për shkak të kufizimeve.

YouTube-i, platforma e saj e videove, ka parë që të ardhurat nga reklamat të rriten në shtatë miliardë dollarë në tre muaj e fundit, në krahasim me 3.81 miliardë dollarë një vit më parë.

Sundar Pichai, shefi i Alphabet-it, ka thënë se kishte një “valë në rritje të aktivitetit në internet në shumë pjesë të botës dhe ne jemi krenar që shërbimet tona ndihmuan kaq shumë konsumatorë dhe biznese”.

Zyrtari kryesor financiar i saj, Ruth Porat, ka deklaruar se të ardhurat, të cilat arritën 61.9 miliardë dollarë, reflektonin “aktivitetin e rritur të konsumatorit në internet” teksa disa ekonomi shërohen nga pandemia e coronavirus-it.

Ndërkohë, shitjet rekord të Apple-it, pësuar rritje për shkak të rritjes nga blerjet e telefonave iPhone, si dhe pajtimet digjitale për televizorë dhe shërbimet e transmetimit të muzikës.

“Këtë tremujor, ekipet tona punuan në një periudhë inovacioni të pashoq duke nxjerrë produkte të reja të fuqishme për përdoruesit tanë, në një kohë kur përdorimi i teknologjisë për të lidhur njerëzit kudo ka qenë më i rëndësishëm se kurrë”, ka theksuar shefi ekzekutiv i Apple-it, Tim Cook.

Gjithashtu ka veçuar Kinën si tregun me rritjen më të shpejtë, ku konsumatorët kanë marrë pajisje të tilla si Apple Watch-i, si dhe modelin më të fundit të iPhone 12, i cili mund të lidhet me rrjetin 5G pa tela.

Dan Ives, analisti i Wedbush, ka sqaruar se duke marrë parasysh mungesën globale të çipave që prek shumë kompani përfshirë Apple-in, “ne do ta karakterizonim këtë si një performancë të medaljes së artë”.

Ai ka shtuar se “Kina mbetet një përbërës kyç në recetën e Apple-it për sukses pasi ne vlerësojmë se afërsisht 20 për qind e azhurnimeve të iPhone-it do të vijnë nga ky rajon gjatë vitit të ardhshëm me prezantimin e iPhone 13-s”.

Kurse Microsoft-i ka njoftuar se shitjet në tremujorin e katërt ishin nxitur nga kërkesa për kompjuterë personalë, çka përfshin software-in e Windows-it, si dhe konsolat e tij të reja Xbox edhe pse shitjet e përmbajtjes së Xbox-it ranë pak.

Cloud-e të turbullta

“BBC” shkruan se teksa disa pjesë të ekonomisë kanë filluar të rihapen, firma të tilla si Microsoft-i, Alphabet-i dhe Apple-i, kanë bërë plane se si të rriten edhe kur njerëzit kalojnë më shumë kohë larg shtëpisë.

Kohët e fundit, Microsoft-i ka nxjerrë një version të bazuar në cloud-in e sistemit të tij operativ.

Në Mbretërinë e Bashkuar, një rregullator i ri i quajtur Njësia e Tregjeve Digjitale (DMU) sapo ka filluar punën për krijimin e kodeve të reja të sjelljes për firmat e teknologjisë dhe marrëdhëniet e tyre me ofruesit e përmbajtjes dhe reklamuesit.

Regjimi do të jetë “pa paturpësi pro konkurrencës”, ka pohuar sekretari i biznesit, Kwasi Kwarteng.

Ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti Joe Biden ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv në një përpjekje për të nxitur konkurrencën e mëtejshme.

Ai ka sugjeruar se problemet kanë lindur për shkak të firmave të mëdha të teknologjisë që mbledhin shumë informacion personal, duke blerë konkurrentë të mundshëm dhe duke konkurruar padrejtësisht me bizneset e vogla.

Gjithashtu ka përfshirë disa rekomandime të tilla si shqyrtimi më i madh i bashkimeve në sektorin e teknologjisë dhe ndalimi i metodave të padrejta të konkurrencës në tregjet e internetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore