Biznes

Fiskalizim pa penalitete s’ka më, a janë gati bizneset?


30 qershor. Ky është afati i fundit kur bizneset e vogla do të “shpëtojnë” nga periudha pa penalizime për fiskalizimin.

Lidhur me këtë qasje, Instituti i Kontabilistëve të Miratuar të Shqipërisë (IKM) në një letër drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve ka ngritur shqetësimin për çështjet ende të pazgjidhura të fiskalizimit që do të penalizojnë bizneset.

Drejtori ekzekutiv i IKM-së, Dashamir Begaj në një prononcim për Albanian Post ka bërë me dije se në komunikimin që kanë pasur me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve kanë diskutuar lidhur me çështjet e trajtuara në letër.

“DPT u angazhua për zgjidhjen e shpejtë të këtyre problemeve si dhe do vijojë komunikimi ndërmjet dy institucioneve tona dhe për problemet e tjera që do të dalin gjatë procesit të fiskalizimit”.

Çfarë përmbajnë 10 pikat?

IKM në letrën e dërguar në fund të muajit maj ngre shqetësimin për librin e blerjeve dhe shitjeve në portalin SelfCare, që nuk është i strukturuar dhe formatuar në përputhje me ligjin e TVSH-së, duke evidentuar kështu një konflikt me ligjin për TVSH-në.

Referuar kësaj problematike DPT sqaron se po konsiderohen disa propozime për ndryshime ligjore në Udhëzimin e TVSH-së.

Ghithashtu, edhe kartat e debitit dhe kreditit konsiderohen mënyrë e ndryshme pagese nga ajo që parashikon ligji i TVSH-së.

Sipas IKM mbetet ende e pazgjidhur çështja e kursi të këmbimit në rastin e eksporteve, sipas ligjit për TVSH-në duhet të jetë ai i Bankës së Shqipërisë në ditën e lëshimit të faturës, kurse sipas ligjit të fiskalizimit kursi që duhet të përdoret në SelfCare është kursi i këmbimit që përdor dogana, që është i ndryshëm dhe sjell kështu diferenca.

Për faturat e refuzuara që shfaqen në libra dhe në pasqyrën mujore, por jo tek transaksionet dhe anasjelltas, DPT ka sqaruar se shfaqja e faturave të refuzuara nga blerësi, në menunë “Pasqyra Mujore – Artikulli i librit të blerjes” është një problematikë e raportuar edhe më parë tek pala mirëmbajtëse dhe po punohet për trajtimin, zgjidhjen dhe saktësimin sa më parë të këtij problemi.

Një tjetër shqetësim, konstatohet nga tatimpaguesit lidhur me sigurinë e të dhënave dhe ruajtjen e konfidencialitetit të tyre, duke konsideruar që në SelfCare logohesh nëpërmjet llogarisë së tatimpaguesit në e-Albania.

Sipas tatimeve kredencialet e llogarisë së biznesit në portalin e-Albania, janë të dhëna sensitive dhe konfidenciale, ku garantimi dhe ruajtja e tyre është përgjegjësi personale direkte, për shkak se fjalëkalimi është i fshehtë dhe vendoset nga vetë tatimpaguesi në momentin e hapjes fillestare të llogarisë.

“Për të evituar cenimin e ruajtjes së të dhënave konfidenciale që përmban portali e-Albania, nga pala mirëmbajtëse po shikohen mundësi të tjera alternative e aksesimit në system”.

E pazgjidhur, sipas kontabilistëve është kur tatimpaguesit e vegjël dhe ata të zonave rurale nuk kanë infrastrukturën e duhur për të realizuar me sukses procesin e fiskalizimit.

Sakaq, kontabilistët pohojnë se kompanitë softuerike nuk ofrojnë zgjidhje teknike për kërkesat ligjore të fiskalizimit. Për këtë shqetësim, DPT sqaron se kompanitë e certifikuara si zgjidhje softëare-ike për fiskalizimin, certifikohen nga një komision i përbashkët AKSHI dhe DPT, sipas kritereve dhe skenareve të përcaktuara.

Nga kontabilistët është ngritur edhe problematika e mospërcaktimit në legjislacionin e fiskalizimit dhe nuk është parashikuar as në SelfCare procedura dhe mënyra se si duhet të deklarohen nga ana e tatimpaguesit pagesat e faturave jo nëpërmjet bankës.

Më herët, eksperti i taksimit, Eduart Gjokutaj, në një prononcim për Albanian Post tha se kjo është një politikë selektive.

Pasi bizneset e tjera përjashtohen nga “politika e faljes”.

Ai në shpjegimin e tij shpjegoi se kjo ndikon në cënimin dhe prishjen e barazisë fiskale të tatimpaguesve.

“Në realitet, shtyrja e penaliteteve në kohë nuk është një politikë që konsiderohet ndihmë, por një qasje jo e sinqertë në argumentimin e bërë nga MFE-ja, pasi dukshëm është tentuar që të mos krijojë akumulim gjobash që do të përbënin objekt për një nismë të ardhme falje fiskale, por edhe acarim të klimës së biznesit”, mendon Gjokutaj.

Si nisi fiskalizimi?

Në vitin 2019, Anila Denaj, asokohe edhe ministre e Financave dhe Ekonomisë, do të prezantonte projektin e ri për fiskalizimin, i cili parashikonte detyrimin e aplikimit të faturës elektronike dhe regjistrimin e pagesave të faturave pa para në dorë, si një fushë e re.

Që prej 1 janarit 2021-shit nisi edhe faza e parë e zbatimit të kësaj reforme, që konsiston në transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe enteve publike, ose ndryshe B2G, vetëm me faturë elektronike.

Ndërkohë faza e dytë e cila nisi më 1 korrik përfshirë transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe përkufizon monitorimin e pagesave të këtyre transaksioneve nëpërmjet sistemit bankar.

Ish-ministrja e Financave dhe Ekonomise, Anila Denaj

Biznese në këtë fazë duhet të lëshonin vetëm fatura elektronike.

Faza e tretë përfshin transaksionet me para në dorë.

Për sa i përket fazës së parë, reforma e Fiskalizimit ka pasur një ecuri pozitive me shifrat që janë rritur ndjeshëm muaj pas muaji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore