Shqipëria

“First Kings of Europe”, me çfarë objektesh të hershme përfaqësohet Shqipëria?


Objektet nga fondet e Institutit të Arkeologjisë dhe koleksionit të Muzeut Arkeologjik në Tiranë do të jenë pjesë e ekspozitës në Amerikën e Veriut, të titulluar “First Kings of Europe” (Mbretërit e parë të Evropës).

Organizuesi: një prej muzeve më të mëdhenj dhe prestigjioz të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Field Museum of Natural History, në Chicago.

Një mundësi e jashtëzakonshme për të promovuar trashëgiminë tonë kulturore në një nga muzetë më të rëndësishëm.

Kështu e ka cilësuar drejtoresha e Institutit të Arkeologjisë, Bela Muka, pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë ekspozitë lëvizëse.

Ajo në një prononcim për Albanian Post (AP) është shprehur se ekspozita ndërkombëtare është e para e përmasave të tilla, e cila bën bashkë rreth një tematike unitare 25 institucione të ndryshme nga 11 vende të Evropës Juglindore.

Muka ka treguar edhe detaje të hollësishme nga hapja e ekspozitës më 31 mars.

Ajo bën me dije se Shqipëria përfaqësohet me 17 objekte, që vijnë nga gërmimet në varreza tumulare, nga veriu në jug të vendit.

“Objektet i përkasin një harku kronologjik 4500-2400 p.e.s. dhe vijnë nga tumat e Shtojit, Matit, Çinamakut dhe Rehovës”.

Kohë që përkon me shfaqjen e objekteve të elitave lokale ilire në varreza.

Vetë ekspozita në tërësi ka si temë kryesore periudhën e formimit të elitave sociale dhe politike gjatë prehistorisë së vonë në Ballkan, nga komunitetet bujqësore të periudhës së Neolitit, tek elitat e konsoliduara të fundit të periudhës së Hekurit.

Drejtoresha e Institutit të Arkeologjisë, Belisa Muka

Në vijim të shtjellimit të saj arkeologia thotë se në këtë ekspozitë Shqipëria përfaqësohet me disa kategori objektesh që rrëfejnë histori të cilat lidhen me aspekte të ndryshme të riteve religjioze dhe mortore.

Jo vetëm kaq, objektet hedhin dritë mbi formimin e elitave të para, të cilat janë ushtarake dhe politike njëherazi.

“Paralelisht këto objekte pasqyrojnë raportet e rëndësishme tregtare dhe shkëmbimet ekonomike që territoret tona kanë pasur me botën mesdhetare”, thotë Muka për AP-në.

Konkretisht do të ketë objekte nga besimet dhe ritualet mortore, siç janë grupi prej gjashtë figurinash prej balte që shoqëronin varrin qendror të tumës 6 të Shtojit në rrethin e Shkodrës.

Nuk do të mungojnë as armët e ndryshme bronzi dhe hekuri apo objekte të panoplisë ushtarake, siç është helmeta ilire nga tumat e Çinamakut në rrethin e Kukësit.

Pjesë e ekspozitës do të jenë edhe stolisja e pasur të veshjes së grave nga zona e Matit dhe Shkodrës dhe objektet e luksit të importuara.

“Një nga gjërat më unike dhe më të veçanta në lidhje me këtë ekspozitë është bashkëpunimi ndërkombëtar që ndodh për të krijuar First Kings of Europe”, ka thënë Bill Parkinson, kurator në Muzeun Field.

Figura qeramike të paraqitura nga Muzeu Arkeologjik i Tiranës

“Ekspozita është bërë në partneritet me 11 vende, plus Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadanë, dhe 26 muze të ndryshëm. Shumë prej artikujve kulturore nuk janë ekspozuar kurrë jashtë vendeve të origjinës së tyre dhe disa nuk janë ekspozuar kurrë as aty”, ka shtuar ai.

Ndaj dhe “First Kings of Europe” është një mundësi unike për të parë këto objekte kulturore.

Më shumë se 700 objekte kulturore në ekspozitë datojnë nga epoka neolitike, e bakrit, e bronzit dhe e hekurit.

Hapja e ekspozitës së plotë, fillon në 31 mars 2023, në Field Museum of Natural History Chicago, ku do të qëndrojë deri në 28 janar 2024.

Në periudhën 5 Prill 2024-19 janar 2025, ekspozita zhvendoset në National Museum of History, në Gatineau, Kanada.

Puna për pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë projekt u drejtua nga Dr. Rovena Kurti, në bashkëpunim me Dr. Rudenc Ruka dhe Prof. Luan Përzhita, Instituti i Arkeologjisë/Akademia e Studimeve Albanologjike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore