Lajme

Firence: Dy shqiptarë të plagosur rëndë braktisen para spitalit


Një ngjarje e mistershme ka ndodhur të premten e 3 dhjetorit në Firence të Italisë, ku një makinë ka braktisur dy shqiptarë të plagosur rëndë para derës së spitalit “Careggi”.

Sipas informacioneve paraprake, të zbuluara nga mediat italiane, bëhet fjalë për dy persona të moshës 35-40 vjeç.

Ata u braktisën nga një makinë e cila më pas u largua me shpejtësi të madhe.

Nga raportimet e para nuk ka shenja apo gjurmë të makinës.

Njëri prej shqiptarëve bëhet me dije se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ky i fundit është aktualisht i shtruar në terapi intensive pas një dëmtimi në kokë.

Edhe personi tjetër gjendet në një situatë të rënduar fizike, pasi ka pësuar fraktura të shumta.

Përtej plagosjes së rëndë, ai është i vetëdijshëm, pra përjashtohet rreziku për jetën.

Ai nuk ka dashur të japë informacion mbi atë që ndodhi.

Një nga gazetat më të vjetra në Itali, “La Nazione”, raporton se rasti është nën hetim nga Skuadra Lëvizëse e Policisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore